Transmetuar më 28-08-2018, 19:59
Ditmir Bushati

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati tha se pranimi i 20 emigrantëve nga Shqipëria është më shumë një çështje njerëzore dhe një kontribut për një problem me të cilin përballet Europa dhe nuk është bërë për karshillëk ndaj asnjë vendi të BE-së.

Në një intervistë për TVSH-në Bushati foli edhe për hapat e mëtejshëm për integrimin si dhe Kosovën e Maqedoninë.

Zoti Ministër, sikurse Kryeministri gjatë takimit të djeshëm informal në Durrës, po ashtu edhe ju më herët, keni shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të pritur disa prej emigrantëve që mbërritën në brigjet italiane javën e kaluar. Sa janë kapacitetet e Shqipërisë për t’iu përgjigjur një fluksi emigrator në Bashkimin Evropian? Së pari, duhet të kemi parasysh që kriza e refugjatëve arriti pikun e vet në 2014 dhe që nga 2014 dhe deri më sot Shqipëria ka mbajtur një ritëm konsistent sipas të cilit të gjitha vendet që janë pjesë e Evropës, pavarësisht nëse janë vende anëtare të Bashkimit Evropian apo jo, në përputhje me mundësitë apo kapacitetet, duhet të japin kontributin në këtë proces. Kjo është një krizë e paprecedent, ndoshta nga më masivet në historinë e njerëzimit. Gjasat janë që nuk do të ketë një stabilizim të shpejtë të kësaj krize për sa kohë rrënjët e konfliktit, kryesisht në zonën rreth e përqark të Mesdheut, nuk janë adresuar.

Për pasojë, kërkon një përgjigje jo individuale por një përgjigje në nivel evropian. Bazuar mbi këtë qëndrim, Shqipëria i përgjigj nevojës që kishte Italia apo nevojës që kishin autoritetet italiane në kushtet kur ajo është një prej vendeve më të prekura dhe vuan pasojat e kësaj krize. Kapacitetet e Shqipërisë nuk diskutohet janë kapacitete të kufizuara, po besoj që në këtë vendimmarrje, siç është shpjeguar faktori kryesor motivues, ka qenë qëndrimi i Shqipërisë, të cilin sapo e përmenda, dhe kontributi ynë për një çështje të cilën e konsiderojmë humanitare.

Zoti Ministër, ju thoni që kjo është çështje humanitare. e pranuam 20 prej tyre. Ishte ky një mesazh i drejtpërdrejt për vendet e posaçme të Bashkimit Evropian që janë skeptike? Skeptike për…?

Për pritjen për emigrantët për krizën e emigrantëve? Jo. Shqipëria nuk i ka bërë karshillëk asnjë vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Ne mund të mos biem dakort me politikat e vendeve të caktuara në BE rreth çështjes së emigracionit apo krizës së refugjatëve, por më duhet të them që ka qenë një qëndrim i qartë i Shqipërisë duke marrë në konsideratë historinë e popullit dhe kombit tonë. Në ditët tona më të vështira, që nga shembja e regjimit komunist, ishte dashamirësia e popullit italian që në një farë mënyre e shpëtoi Shqipërinë nga një katastrofë të përmasave të jashtëzakonshme siç ishte vala migratore e viteve 90’. Pra, ne kemi një lloj historie të rëndësishme me emigracionin dhe nuk mund të harrojmë edhe elementin njerëzor në vendimmarrjen për tema të tilla. Nuk kemi i bërë karshillëk dhe nuk kemi pretenduar për asnjë çast që përmes një veprimi të tillë të çojmë një mesazh të dy-kuptimtë diku në ndonjë vend që ka një qëndrim të ndryshëm për këtë çështje apo të kemi tentuar të përfitojmë në funksion të agjendës sonë të afrimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian.

Zoti Ministër, po në raste të ngjashme ne do te veprojmë në të njëjtën mënyrë, do të kemi gatishmëri? Në politikë është e vështirë të flasësh në mënyrë hipotetike pavarësisht se Shqipëria është e përgatitur për variantin A, B dhe C, por mundësimi bazohet tek formësimi i kësaj politike që sapo theksova, tek proporcionaliteti, pra tek nevoja që të gjitha vendet të ndërhyjnë dhe të japin kontributin e tyre në këtë proces. Ne do të vijojmë të jemi në kontakte jo vetëm me autoritetet italiane por dhe me vende të tjera, sepse në fund të ditës është një çështje humanitare por që ka dhe dimensione të qarta për sigurinë në rajonin e Mesdheut dhe më gjerë.

Zoti Ministër, nis vjeshta. Cilat do të jenë ngjarjet që do të shoqërojnë procesin e integrimit për futjen në Bashkimin Evropian? Ne kemi nisur procesin e screening me Komisionin e Bashkimit Evropian dhe natyrisht që po bëhet një punë e imtësishme do të thosha, për t’iu përgjigjur sfidave që burojnë nga ky proces dhe për të kaluar në skaner të gjithë stacionin e Bashkimit Evropian, si edhe për të kuptuar dhe për të inventarizuar nivelin tonë të përputhshmërisë jo vetëm në planin legjislativ por dhe tek masat legjislative që do të ndërmerren në këtë drejtim. Natyrisht, kjo është vetëm pjesa teknike. Për pjesën politike është shumë e rëndësishme dhe uroj të gjendet gjuha e përbashkët për të miratuar ato reforma të nevojshme që do ta shtyjnë përpara procesin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Vetting-u ka prodhuar disa suksese të prekshme në drejtësi. Falë zbatimit të procesit të Vetting-ut që gjerësisht pranohet që Shqipëria është një model për vendet e tjera të rajonit, jo vetëm për mënyrën se si do të duhet të reformohet dhe pastrohet me tej sistemi në drejtësi, por duhen ngritur gjithashtu dhe institucione për të cilat është rënë dakord në momentin që u miratua paketa e ndryshimeve kushtetuese.

Ne jemi të vendosur për të ecur përpara në këtë drejtim në mënyrë që në qershorin e 2019-s, dosja e Shqipërisë të jetë një dosje mjaft e konsoliduar si nga pikëpamja e fuqizimit të mëtejshëm të kapaciteteve administrative ashtu dhe nga pikëpamja e përmbushjes së angazhimeve të ndërmarra në gjithë këtë proces.

Nëse do të kemi mundësi bllokimi nga opozita në këtë proces, ka qeveria një plan B? Nuk besoj se është në interesin e opozitës për të vazhduar të bllokojë reformat që kanë lidhje me këtë proces, tani është bërë e qartë se ky nuk është një proces që ka lidhje me qeverinë. Nga ky proces nuk varet as fati i qeverisë Rama dhe as fati i një partie politike të caktuar. Është një proces që ka të bejë me ndryshimin dhe modernizimin e vazhdueshëm shoqëror. Është një proces nga i cili të gjithë aktorët duhet të kontribuojnë prandaj është e udhës që energjitë tona të shfrytëzohen në drejtim të përmbushjes së këtyre reformave që nuk janë as majtas as djathtas, por janë reforma për të modernizuar më tej shtetin e së drejtës.

Zoti Ministër, si e shikoni situatën aktuale në rajon, referendumin në Maqedoni por edhe zhvillimet e fundit në Kosovë? Besoj se për sa i përket referendumit në Shkup, para fqinjëve tanë paraqitet një rast i papërsëritshëm për të vulosur edhe përmes një plebishiti marrëveshjen e arritur me Greqinë për çështjen e emrit. Është në interesin jo vetëm të fqinjit tonë por besoj edhe të gjithë vendeve të tjera rajonit për ta inkurajuar këtë proces shumë pozitiv, për të dalë nga moçali i konflikteve të panevojshme dhe për të ankoruar fqinjin tonë në ujërat euro-atlantike. Shqiptarët kanë luajtur një rol vendimtar atje në të gjithë këtë proces. Kanë qenë vijimësisht dhe kokëfortësisht pro anëtarësimit të vendit të tyre në NATO. Në këtë kontekst, shpreh bindjen se në radhët e shqiptarëve do të ketë një mbështetje masive për sa i përket kursit në të cilin është përfshirë vendi. Natyrisht, rruga për në BE nuk është e lehtë. Marrëveshjet nuk janë të lehta. Nga ana tjetër besojmë fuqimisht që para fqinjit tonë shtrohet një mundësi e madhe përpara e cila duhet shfrytëzuar me zgjuarsi.

Në raport me Greqinë, ne do të vijojmë procesin që kemi nisur tanimë. Në vjeshtë do të kemi një takim të radhës me ministrin e jashtëm grek në OKB, gjatë sesionit të OKB-së, ku do të vazhdojmë punën, e cila është ndërprerë për shkak të pushimeve të verës.

Për sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka dyshim që e inkurajojmë këtë proces, që të finalizohet me një marrëveshje që njeh shtetet në mënyrë të ndërsjellë dhe krijon më shumë stabilitet dhe një perspektivë më të qartë të të gjithë rajonit në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Zoti Ministër shpresojmë që takimi që do të keni në OKB të prodhojë rezultate sa më shpejt për sa i takon marrëveshjes me Greqinë. Por, në fakt në media aludohet për një bllokim nga ana e presidencës sa i takon procesit të negociatave, si qëndron çështja? Kemi pasur një komunikim normal për këtë proces, në përputhje me përgjegjësinë dhe rolin institucional të të gjithë aktorëve të përfshirë dhe pjesa tjetër është thjeshtë aludim.