Transmetuar më 27-08-2018, 13:00

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, shprehet i prerë sa i takon çështjes së korrigjimit të kufijve.

Duke folur ditën e sotme pas samitit të liderëve të Ballkanit në Durrës, ai deklaroi se Kosova i ka kufijtë.

“Po flitet shumë për kufijtë, por Kosova i ka kufijtë e vetë. I ka me Shqipërinë, i ka me Malin e Zi, i ka me Maqedoninë, i ka me Serbinë. Ne i respektojmë këta kufij dhe nuk mendojmë se duhet ndonjë kreativitet i ri në dizenjim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi”, u shpreh Haradinaj.

Nga ana e tij komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn tha se, “Nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe. Çdo lloj marrëveshje dy palëshe nuk duhet të ndikojë stabilitetin e rajonit”.

Sakaq Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se nuk mund të flasë në këtë moment pasi çështja është ende në diskutim dhe do të ketë një tjetër takim në Bruksel, ku do të trajtohet më qartë.

Lidhur me situatën në rajon Haradinaj deklaroi se Kosova po e kryen pjesën e vetë ndonëse është pak me vonesë me hekurudhat, por ndodhet në proces të mbylljes së ‘Roaming’, dhe vështirësi për lirinë e lëvizjes, liberalizimin e vizave.

“Kur kalojmë në Serbi kemi shumë vështirësi, po ashtu edhe në Bosnje, për të komunikuar me Kroacinë na duhen viza. Më lehtë e kemi marrëdhënien me Shqipërinë, në gjysmën e dytë të nëntorit do të kemi takimin e dytë të qeverive për heqjen e barrierave doganore”, deklaroi Haradinaj. /a.y/noa.al