Transmetuar më 26-07-2018, 22:54

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar se në muajin shtator do t’i drejtohet popullit të tij për çështjen e Kosovës.

Kreu i shtetit ka thënë se shqiptarët janë më të gatshëm sesa serbët për të mbrojtur atë që ata e konsiderojnë si të tyre.

“Shqiptarët janë më të motivuar se ne serbët për të mbrojtur atë që ata e konsiderojnë të tyre. Unë mendoj se ne kemi një shans të mirë për të mos humbur gjithçka”- thotë Presidenti i Serbisë, duke komentuar një deklaratë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ndarja e Kosovës nuk do të ndodhë.

Vuçiç ka theksuar se duhet të mendohet një zgjidhje afatgjate për një të ardhme.

“Kjo është arsyeja pse unë jam duke kërkuar për një kompromis që fëmijët tanë te mos vuajnë në të ardhmen. Nuk duhet që fëmijët tanë të kenë të njëjtat shqetësime si ne”, tha Vuçiç për rts.

Sipas tij, serbët do të kenë një të ardhme të mirë, do të jetojnë më mirë, me më shumë fabrika, me një udhërrëfyes të qartë për të ardhmen. /k.k/noa.al/