Transmetuar më 25-07-2018, 07:29

Së paku 76 persona kanë humbur jetën, ndërsa druhen rreth 100 viktima, si pasojë e zjarreve të furishme në dy pyje të mëdha në periferi të Athinës.

Ndërkohë mbi 200 persona kanë mbetur të plagosur, teksa zjarret u ushqyen si pasojë e temperaturave të larta dhe erërave.

Autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës pas zjarreve të nisura qysh të hënën, duke kërkuar ndihmën e Bashkimit Europian dhe duke shpallur tre ditë zie.

Paraprakisht dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, pasi mendohet se kanë qenë 47 vatra zjarri të vëna thuajse në të njëjtën kohë dhe në vende shumë të afërta.

“Janë të shumta kufomat e gjetura brenda banesave apo në makina”, konfirmoi zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopulos.

“Pashë kufoma, makina të djegura, jam me fat që jam ende gjallë. Mati nuk ekziston më”, është dëshmia e një gruaje për televizionin grek “Skai”.

Mati është një zonë turistike në rajonin e Rafina, rreth 40 kilometër në verilindje të Athinës, e cila është shkrumbuar e gjitha.

Dëshmi të tjera thonë se zjarri i ndiqte deri në det dhe vetëm kur u futën në ujë arritën të shpëtojnë.

Mes viktimave është edhe një grua shqiptare. Mica Leka, me origjinë nga Leshnica e Sarandës, mësohet se ka vdekur në banesën e saj, në vendin e quajtur Mati.

Nica është gjetur e shkrumbuar në banesën e saj.

Bashkëshorti i saj grek ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.

Episodi më i tmerrshëm që kur zjarret u përhapën me shpejtësi, është ai i regjistruar në Mati të Atikës, ku vullnetarët e Kryqit të Kuq gjetën 26 trupa njerëzish, shumë prej të cilëve nëna me fëmijë, të përqafuar me njëri-tjetrin, pranë një lokali.

Sakaq një grua nga Berati ka mbetur e plagosur, si dhe dy fëmijë nga Fieri, nga e njëjta familje, 10 dhe 13 vjeç. /a.y/noa.al