Transmetuar më 21-07-2018, 22:31

Të premten, Komiteti Shqiptar i Helsinkit bëri publike të dhëna të frikshme referuar informacionit konfidencial të marrë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, sipas të cilave rreth 200 gjyqtarë dhe prokurorë që janë pjesë e sistemit aktual të drejtësisë, janë të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Kontaktet e papërshtatshme të evidentuara për këto 200 subjekte janë në lidhje me shkaqe të tilla si, për krimin e organizuar, korrupsionin, në formën e një takimi, komunikimi elektronik apo çfarëdolloj mënyre tjetër takimi të qëllimshëm që nuk është në pajtim me ushtrimin e detyrës nga subjekti i rivlerësimit.

“Rreth 25% e subjekteve nga kontrolli që DSIK ka rezultuar me probleme sa i takon figurës së tyre në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat janë shfaqur në formën e takimeve të papërshtatshme, shkëmbimit të korrespondencës elektronike të papërshtatshme apo në çdo lloj forme tjetër që sipas ligjit të vettingut konsiderohet e papërshtatshme. ILDKPI referoi ndërkohë që rreth 50% e subjekteve të kontrolluara nga ky organ kanë rezultuar me probleme sa i takon fshehjes së pasurisë, deklarimit të rremë apo konfliktit të interesit”, tha për Ora News Drejtorja ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit

Ajo shtoi se këto të dhëna nuk janë përfundimtare dhe as të detyrueshme  për organet e vettingut.

“Këto të dhëna nuk janë të dhëna përfundimtare, nuk janë të detyrueshme për organet e vettingut, për KPK pasi ka një jurisprudencë të Gjykatës Kushtetuese e cila ka marrë në shqyrtim ligjin për vettingun kur subjektet e kanë kundërshtuar këtë ligj pranë këtij institucioni, dhe kanë thënë se të dhënat që ofrojnë organet ndihmëse janë të dhëna të cilat shikohen në raport me të gjitha provat, faktet dhe dokumentat që KPK ka siguruar gjatë hetimit administrativ të thelluar dhe të specializuar që ky institucion bën”, tha Skëndaj.

Duke folur mbi ecurinë e procesit të vettingut, Skëndaj vuri në dukje se ka një përshpejtim të procesit përgjatë muajit korrik.