Transmetuar më 21-07-2018, 19:05

Lulzim Basha ka akuzuar Preokuroren e Përgjithshme dhe atë të Krimeve të Rënda, se po fshehin përgjimet që implikojnë, sipas tij, Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin në përfshirje me bandat kriminale.

Me anë të një deklarate, thuhet se kjo lidhje përkthehet me dhënie tenderash dhe shkëmbim votash.

“Donika Prela dhe Arta Marku fshehin përgjimet dhe provat e prokurorisë që lidhin Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin me bandat e krimit të organizuar në pazare korruptive “tendera dhe para në shkëmbim të votave” nga Dibra në Durrës dhe në Vlorë”, thuhet në deklaratë.

Basha vijon më tej se, pas dy vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, duhet të kishim një organ akuze që ndëshkon politikanët e lidhur me krimin.

“Dy vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi duhet të kishim një prokurori që ndëshkon dhe nuk mbron politikanët e lidhur me krimin. Vangjush Dako duhej të ishte në burg, bashkë me Sajmir Tahirin, Elvis Roshin, Mark Frrokun, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin me shokë”, vijon deklarata.

Dhe në këtë kontekst, Basha thotë se “në vend të reformës, Edi Rama dhe Fatmir Xhafa e kapën drejtësinë me ndihmën dhe heshtjen e disa bashkfajtorëve që sot bëjnë shurdhmemecin”. /k.k/noa.al/