Transmetuar më 20-07-2018, 23:25

Zyrtari i lartë i PD-së Elmaz Haruni është arrestuar këtë mbrëmje nga policia.

Ngjarja ka ndodhur në Gramsh, pas një përplasje mes kreut të PD-së së këtij qyteti dhe forcave të policisë.

Haruni ishte pasagjer në një automjet që u ndalua nga policia.

Sipas burimeve të News24, drejtuesi i këtij automjeti ishte i dehur.

Me ndalimin e makinës kryetari i PD-së në Gramsh ka kundërshtuar forcat e policisë, të cilat kanë bërë dhe shoqërimin e tij dhe të drejtuesit të mjetit.

Partia Demokratike ka reaguar gjatë orëve të vona të mbrëmjes për ndalimin nga policia të kreut të degës së PD në Gramsh, Elmas Harunin.

Deputeti Luçiano Boçi, shprehet se zyrtari i PD-së është arrestuar me urdhër politik nga Edi Rama.

Ai thotë se Haruni është arrestuar vetëm pse nuk ka vendosur rripin e sigurimit.

“Ditën e zhvillimit të aktivit të degës së Partisë Demokratike, me pretekstin e mosvënies së rripit të sigurimit, policia private e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt arreston Kryetarin e PD Gramsh Elmas Harunin dhe sekretarin organizativ të kësaj dege. Ndërkohë që kriminelët, trafikantët, tutorët nderohen dhe bëjnë ligjin kudo, shqetësimi i policisë së kriminalizuar na qenkan drejtuesit politike të PD, të dy me profesionin e mësuesit. Ky është një arrestim i pastër politik dhe dëshmi e dorëzimit të policisë para krimit dhe trimërimit të saj pa arsye para qytetarit”,- shprehet Luçiano Boçi në reagimin e tij./a.k/noa.al/