Transmetuar më 20-07-2018, 22:06

Duke folur në studion e ‘Java’ në RTSH, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se me veprimet e saj, kjo qeveri po shkon drejt përplasjes finale me popullin dhe opozitën.

Duke folur përballë dy gazetarëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, ish-kryeministri është shprehur se kjo qeveri ka hequr shansin e anikimit të ligjit për teatrin.

“Këtij ligji po i hiqet shansi i ankimimit. Nuk e di çfarë qëndrimi do mbajë Presidenti Meta por opozitë duhet të përdorë të gjitha mjetet e mundshme që ka për të bllokuar këtë projekt kriminal.

E vetmja fuqi reale e opozitës është fuqia e rrugës.

Edi Rama nuk po le hapësirë tjetër veç përballjes me të gjitha mjetet. Këtë nuk e kam thënë më herët por nëse ekzekuton drejtësinë alternative tjetër nuk mund të kesh veç përballjesh. Përndryshe çdo javë e çdo muaj do shkojmë më keq si komb.

Po të kishim drejtësi gjërat do shkonin ndryshe.

Ata duan të vjedhin tokën publike me një kompani që janë lidhur kokë e këmbë. Në kushtet të tilla arbitrariteti dhe në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, qytetarët nuk kanë zgjidhje tjetër veç përballjes’, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.

Sipas tij, Teatri Kombëtar është një kauzë popullore sepse është një çështje e ndërgjegjes.

“Kjo qeveri me 25 milion euro mund të ndërtojë një teatër modern të dytë. Por Teatrin ekzistues mos e prek, është bizhu, trashëgimi, s’duhet prekur pasi i rritet vlera çdo vit. Po mbush 100 vjet dhe shfaqja e 100 vjetorit duhet shfaqur aty.

Kjo është luftë ndaj institucioneve kulturore.

Kemi rastet e kinema Partizanit, Republikës, 17 nëntorit të cilët do të nderonin sot para turistëve të huaj.

Sheshi i Tiranës ka qenë si bizhu dhe këta nën shembullin e sheshit të kuq në Moskë e prishën.

Sot ky shesh mbyti bibliotekën dhe godinën e Bashkisë, dhe kam ndjerë dhimbje të madhe për bibliotekën kombëtare.

Fundi i kësaj beteje për teatrin është i lidhur me momentin e përballjes që për mua është rruga e vetme e zgjidhjes për vendosjen e demokracisë në shina.

Teatri Kombëtar është shkak i madh, pasi është çështje ndërgjegje. Teatri është shumë i çmuar dhe Tirana do ti qëndrojë mbrojtjes së Teatrit me çdo çmim.

Vetëm një i sëmurë psikik si ai mund të fuste me procedurë të përshpejtuar ligjin për teatrit në parlament.

Kurrë nuk kam imagjinuar që unë mund të përdorja mazhorancën me një abuzivitet kaq ekstrem vetëm e vetëm për të shtypur një grusht njerëzish që janë gjenia e këtij kombi, ashtu siç janë ata.

Ajo nuk është pronë private e artistëve por Teatri është jeta e tyre’, tha Berisha.