Transmetuar më 19-07-2018, 19:18

Është zhvilluar sot në CAS-in e Lozanës, në Zvicër, seanca gjyqësore që do të përcaktojë përfundimisht nëse do të marrë pjesë Milani në Europa League, në sezonin e ardhshëm.

UEFA vendosi të përjashtojë kuqezinjtë nga kompeticionet europiane, pasi nuk kishin respektuar normat e Fair Play-t Financiar, të miratuara nga vetë qeveria europiane e futbollit.

Gjithsesi kuqezinjtë vendosën të apelojnë vendimin në KAS, ku po kërkojnë që të vlerësohet fakti që tani klubi është pronë e fondit Elliot, që garanton financim të rregullt.

Pas disa orësh debate e diskutime në sallë, seanca ka përfunduar, ndërsa vendimi do të jepet ditën e nesërme, pas orës 11:00.

Pjesëmarrja në Europë është mjaft e rëndësishme dhe përcaktuese për strategjinë e Milanit në merkato, pasi shumë prej futbollistëve do të kërkojnë largimin, për të mos ndenjur jashtë kompeticioneve europiane.