Transmetuar më 19-07-2018, 13:00

Opozita braktisi sërish sot seancën e plenare duke refuzuar votimin e ligjit të magjistraturës që do t’i hapte rrugë zëvendësimit të atyre që u larguan nga Vettingu.

Pas fjalës së presidentes kroate opozita u largua nga salla pasi i kërkon mazhorancës të rivotohet projektligji për Teatrin Kombëtar pasi sipas saj u manipulua votimi.

Por, kreu i grupit të PS Taulant Balla deklaroi se ishte vetë opozita që u përpoq t’i bënte rreng një ish-deputetit të saj, konkretisht, deputetit Bitri që votoi me kartën e Vangjel Tavos.

“Lidhur me pretendimin pse deputeti Bitri ka votuar me kartën e Tavos, por mendoj që kjo është sqaruar. Dhe nëse ka një faj, i takon vetëm deputetëve të opozitës, që u munduan të bëjnë një rreng ndaj një deputeti që ka qenë i asaj partie, por prej pak kohësh është deklaruar si deputet i pavaruar,” tha Balla.

Ai më tej ftoi LSI-në të votojë ligjin për t’i hapur rrugë zëvendësimit të magjistratëve.

“Kemi një ligj të rëndësishëm për të diskutuar sot në parlament, për të votuar 15 djem e vajza në magjistraturë për të vazhduar karrierën e tyre në drejtësi. Se do jenë këta magjistratë të rinj që do plotësojnë vendet vakante të atyre gjykatësve që ka përjashtuar Vettingu,” u shpreh ai./a.m./noa.al/