Transmetuar më 19-07-2018, 12:25

Në parlament ishte sot presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar Kitaroviç e cila mbajti një fjalim para ligjvënësve shqiptarë.

E pranishme ishte edhe opozita gjatë fjalimit e cila më pas braktisi seancën.

Ky vendim i opozitës lidhet me manipulimin sipas saj të votimit për projektligjin për Teatrin Kombëtar.

Opozita pretendon se është marrë si e mirëqenë vota e një deputeti të opozitës i cili nuk ka qenë fare në seancë, që për opozitën ishte arsye edhe për bojkotimin e seancës së kaluar.

Kreu i grupit të PD Edmond Spaho kërkoi përsëritjen e votimit.

“Në seancën e shkuar grupet opozitare kërkuan të rivotohet ligji për prishjen e teatrit kombëtar pasi një deputet i mazhorancës kishte votuar dhe për një deputet të opozitës. Kryetari i Kuvendit porositi të mblidhet Këshilli i Votimit dhe Procedurave që u mblodh dhe vërtetoi qëndrimin e opozitës se votimi në emër të një deputeti të opozitës ishte kryer. Sa kohë ky votim ka qenë i parregullt në përputhje me rregulloren duhet të përsëritet. Kërkoj të rivotohet ligji për Teatrin pasi votimi ka qenë i parregullt dhe për shkak se ju nuk lejoni të korrigjohet ky veprim i gabuar nga ana e Kuvendit në shenjë proteste ne do të largohemi nga kjo seancë pasi nuk mund të qëndrojmë në një Kuvend ku vidhet vota edhe kur nuk ka nevojë për ta bërë këtë”, deklaroi Spaho.

Në këto kushte, ligji për Magjistraturën dhe ndryshimet në Kodin Rrugor shtyhen për seancën e së hënës, e cila është e fundit e këtij sesioni.

Për këto dy projektligje kërkohen 84 vota të cilat mazhoranca nuk i ka. Në këto kushte, pa u votuar ndryshimet për statusin e magjistratëve, atëherë mbetet e pamundur të zëvendësohen gjyqtarët e larguar nga procesi i Vettingut.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është në kolaps, e mbetur me vetëm 2 gjyqtarë./a.m./noa.al/