Transmetuar më 19-07-2018, 10:56

Angazhimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) është parë me mjaft skepticizëm nga Donald Trump prej kur ai u bë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë dhënë pas Samitit të NATO-s, z.Trump dha një deklaratë ku ngriti hije dyshimi se “pse SHBA duhej të futej në luftë në rast se kërcënoheshin vende si Mali i Zi apo Shqipëria”.

Atij iu bë si pyetje nga gazetari, por Trump ia ktheu: “pikërisht, pse duhet?!”

Me këtë ai donte të jepte një sqarim rreth skepticizmit të tij për Aleancën duke vlerësuar se nëse vende si Shqipëria apo Mali i Zi sulmohen, nuk ka pse të investohet NATO për t’i mbrojtur.

Qartësisht kjo është një lajthitje presidenciale e kreut të SHBA-ve sepse NATO e ka të sanksionuar që në krijimin e saj se një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve dhe NATO ndërhyn njësoj pavarësisht nëse ka interesa strategjike apo jo.

Ndaj nuk ka vonuar reagimi nga NATO.

Një zyrtar i Aleancës sqaroi se mbrojtja kolektive është e sanksionuar në Traktatin e Aleancës.

Ai tha se traktati që aleanca ka firmosur është i pakushtëzuar dhe nuk e luan as topi, duke rikonfirmuar kështu moton “sulmi ndaj një vendi anëtar të NATO-s është sulm ndaj të gjithë anëtarëve të Aleancës”, i sanksionuar në nenin 5 të Traktatit.

“Klauzola jonë e mbrojtjes kolektive, Neni 5, është e pakushtëzuar dhe e veshur me hekur, që do të thotë se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve. Presidenti Trump e ka bërë të qartë se SHBA është plotësisht e angazhuar për NATO-n dhe Aleanca jonë është më e fortë se kurrë”, tha më tej zyrtari për CNN.

Kritikat e Trump kanë nisur pas debateve për shpenzimet për mbrojtjen nga vendet aleate. /a.m./noa.al/