Transmetuar më 18-07-2018, 22:07

Nga Spartak Ngjela

Një Ese për gjendjen e korrupsionit në Shqipëri.

17.07.2018

Nga një vend ku koha ecën përpara vetëm sipas orës së kryeministrit të vendit, duhet ikur.

Në një vend ku koha matet sipas sahatit rroskop të kryeministrit të vendit, i gjithë vendi vuan prapambetjen që vjen si pasojë e mendjes së sëmurë të kryeministrit të vendit.

Shoqëritë që kanë vuajtur më shumë në kohët moderne kanë qenë ato që janë drejtuar nga kryeministra të liq nga natyra dhe abuzues në funksion të përfitimit material. Këta si rregull, të gjithë kanë pasur një fund tragjik, sepse rregjimi i tyre ka qënë esencialisht vepër që e kanë krijuar vetë. Kanë vuajtur picirin e përmbushjes sepse kanë krijuar ca kënaqësi patologjike duke shtypur shoqërinë e tyre.

Shqipëria është më tipikja në këtë lloj historie.

Ka që nga viti 1945 e deri më sot që shqiptarët e Shqipërisë po vuajnë padijen e kryeminstrave të tyre, që nga injoranca e një gjimnazisti mediokër dhe tirani mizor si Enver Hoxha, e deri te deliri i një mësuesi vizatimi si Edi Rama që ka bllokuar zhvillimin shqiptar për dy arsye: se nuk kupton dot fare çfarë është shteti dhe çfarë është tregu, dhe, njëherësh, kërkon t’i mbijetojë luftës antikorrupsion duke mashtruar ndërkombëtarët dhe duke bllokuar Reformën në Drejtësi.

Është krejt e pakuptueshme sesi mund të dilnin në Shqipëri edhe njerëz si Edi Rama që të kërkonin pushtet absolut në një kohë kur Shqipëria kishte marrë rrugën drejt Bashkimit Europian.

Sot janë tre kryeministra të kapur nga ndërkombëtarët me fakte në korrupsion: Meta, Berisha dhe Rama.

Në fakt janë të ikur, por që të tre luftojnë si një çetë primitive kundër Reformës.

Rama del dhe kërkon të duket se është jashtë spektrit të korrupsionit. Por është i lehtë. Me gjithë ato abuzime kriminale të faktuara tani: me para të depozituara në emrat e malavitës shqiptare; me gjithë atë abuzim me leje ndërtimi që e kthehu Tiranën në një qytet të ndërtuar pa sistem nga banditizmi shqiptar i tëri i skeduar tanimë si klientelë e Edi Ramë; me abuzime në bregdet dhe në koncesione; me abuzime qeveritare në lidhje me tregtimin dhe kultivimin e kanabisit. Për të gjitha këto lodhet kot. Por nuk e kupton dot, dhe vijon të shpenzojë energji negative të cilat i konsumojnë shumë jetë. Nuk e kupton dot se është pamundësi absolute që të përsëritet primitivizmi makabër i Enver Hoxhës.

Sali Berisha është mbyllur brenda nga tensioni i tij psikik dhe, nën peshën e një frikë permanente, beson dhe nuk beson te aftësia e Edi Ramës, për të shpëtuar veten dhe familjen nga goditja penale dhe konfiskimi. Saliu e di që Rama është jashtë çdo strukturë të intelektit normal, por e sheh me shpresë se mund ta izolojë Shqipërinë për ta çuar drejt Turqisë dhe Erdoganit. Dhe nuk ka faj; i urituri gjithmonë sheh në ëndërr kullure. Por ka hedhur në lojë edhe një individ si Basha që nuk ka fare forcë intelekti, dhe drejtohet nga Saliu, në një rrugë së cilës i dihet mirë fundi tani: shpagimi për korrupsionin e madh kryeministror Berisha.

Ilir Meta është në një dilemë: a mund ta shpëtojë ai gjënë e vjedhur duke qënë President i Republikës?

Në fakt ky është më interesanti. Ku nuk ka shkuar e kë nuk ka kapur. Nga Beogradi në Shkup e kudo te grekët e te sllavët, që iu premton gjithçka shqiptare, por nuk arrin të kuptojë që, të gjithë ata atje ku shkon, nuk kanë dot forcë përpara Amerikës. Por herë-herë edhe ky çoku ka besim te Rama që po vërtitet si fëndyell për të gjetur aleanca të tjera antiamerikane për të izoluar Shqipërinë njëlloj si Enver Hoxha.

Janë të humbur që të tre, se po i kompromenton koha.

Cilët janë të kënaqur sot më qeverisjen Berisha? Vetëm imbecilët fanatikë të Saliut dhe, ata që kanë përfituar nga korrupsioni kryeministror Berisha.

Cilët janë të kënaqur sot më qeverisjen Rama? Vetëm imbecilët fanatikë të Ramës dhe ata që kanë përfituar nga korrupsioni kryeministror Rama.

Cilët janë të kënaqur sot më qeverisjen Meta.

Me këtë qeverisje janë të kënaqur vetëm hajdutët ordinerë që kanë pas krijuar dhe krijojnë ende rrethin e ngushtë të korrupsionit kryeministror Meta.

Po mirë, shqiptarët duhet të mbeten peng ende i këtyre tre njerëzve që janë krejt të paaftë për të drejtojtuar një shtet, dhe jo vetë kaq , por që janë njëherësh edhe abuzues dhe të korruptuar deri në poret e tyre?

Po përse duhet t’i durojnë ende shqiptarët, që të provojnë prej tyre pas vjedhjes që iu kanë bërë, edhe destabilizimin e Shqipërisë, edhe shitjen e interesit kombëtar në mënyrë që këta të shpëtojnë gjënë e vjedhur?

E pra, akoma do t’i durojnë?

Jo. Shqiptarët po presin nga reforma në Drejtësi, sepse çdo rrugë tjetër është revolucion. Shqiptarët nuk besojnë më të asnjë lloj revolucioni. Tani ata po presin të shohin përfundimin real të korrupsionit të fëlligësht shqiptar, sipas zotimit që iu ka bërë politika amerikane dhe që po e udhëheq me sukses deri tani Reformën në Drejtësi.

Dhe kjo është rruga, jo vetëm me e drejtë, por që sjell me vetë si përfundim edhe garancinë historike e jetëgjatë të krijimit dhe ekzistencës normale të një shteti ligjor e të drejtë shqiptar. Sepse të bie në sy fakti që, vetëm padia të çon të akti Rama në politikë. Një njeri që nuk njeh asnjë gjë nga struktura shtetërore, që nuk di fare se ç’është tregu dhe kapitalizmi, që nuk mund ta kuptonte dot se Ballkani do të ishte një zonë e nxehtë, një njeri që nuk e njihte fare historinë e Shqipërisë dhe që gjuhën shqipe e ka ditur një krijim spontan të Enver Hoxhës, kur nuk e ka kuptuar asfare se koha e tiranëve nuk mund të ketë më jetë në Europë, – një njeri i tillë është i predispozuar që vetë ai të krijojë vendosjen e tij në anë të një ndëshkimi penal.

Gjithsesi deri tani është e kuptueshme që të tre bashkë i janë nisur kësaj rrugë.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al