Transmetuar më 18-07-2018, 19:59

Gjykata e Apelit Administrativ rrëzoi sot pretendimet e demokratëve duke i vlerësuar si të ligjshëm mandatet e gjashtë këshilltarëve në Këshillin e Bashkisë Tiranë.

Gjykata i gjeti të pabazuara në ligj pretendimet e opozitës për ata që zëvendësuan gjashtë këshilltarë që morën mandatet e deputetit para një viti.

Pas vendimit të gjykatës ka ardhur edhe reagimi nga opozita.

Kreu i këshilltarëve të PD Kreshnik Çollaku, thotë se gjyqtarët u kërcënuan për të dhënë këtë vendim. Sipas tij, gjyqtarët janë kërcënuar me procesin Vettingut.

“Sot tre gjyqtarët e Apelit Tiranë sanksionuan padrejtësinë dhe paligjshmërinë në Këshillin Bashkiak Tiranë.

Ky vendim në fakt ishte paralajmeruar disa muaj më parë nga Kryetari i Këshillit Bashkiak, i sigurtë në vendimin e tyre pasi në të kundërt ‘do të shohim si do të kalojnë vettingun’”, shkruan Çollaku.

Ai thotë më tej se “kjo ngjarje e paralajmëruar ndodhi”.

“Tre gjyqtaret e Apelit iu gjunjëzuan presionit të qeverisë dhe asgjësuan drejtësinë. Vetë gjyqtarë të trupës kanë komunikuar me palët duke u shfajësuar se vendimin absurd e kanë marrë ‘prej frikës së konfliktit me qeverinë në fazën e vettingut’”, thotë më tej Çollaku./a.m./noa.l/