Transmetuar më 18-07-2018, 18:22

Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur hetimet në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës Gjon Marku.

Dosja ndaj tij është referuar në gjykatë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Marku akuzohet se në tejkalim të detyrës, ka lëshuar liçencë për një subjekt transporti, duke shkelur ligjin sipas organit të akuzës.

“Në Shkodër, sot me datën 18.07.2018, Prokuroria  e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pasi përpara disa ditësh kishte marrë si të pandehur për veprën penale të  “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal,  ish–kryetarin e Bashkisë Vau i Dejës, shtetasin Gjon Ndue Marku,  ka dërguar çështjen penale për tu shqyrtuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër”, raporton prokuroria.

Organi i akuzës jep edhe informacione konkrete lidhur me çështjen për të cilën ish-kryebashkiaku përfundoi i pandehur.

“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi Gjon Ndue Marku, me detyrën e kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës  gjatë periudhës 2011-2015, ka lëshuar një licencë si dhe një certifikatë ‘për transport udhëtarësh në linjë të rregullt ndërqytetëse ndërmjet qarqeve’, në kundërshtim me detyrën”, bën me dije prokuroria./a.m./noa.al/