Transmetuar më 18-07-2018, 15:13

Një pacient me sëmundje kardiovaskulare në Bashkinë e Kolonjës, duhet të udhëtojë drejt Korçës apo Tiranës për të marrë shërbimim mjekësor të specializuar.

Në spitalin bashkiak ata mund të trajtohen vetëm si rast urgjence, pasi aty mungon mjeku specialist kardiolog.

“Jemi të detyruar të bëjmë aq sa mundemi në një spital bashkiak që të japim ndihmën e parë dhe pastaj për ta çuar drejt spitalit rajonal që të marrë ndihmën e  specializuar”, thotë për Ora News mjeku Ilir Milo

Prej disa vitesh, në këtë spital, që duket se infrastrukturën e ka në kushte të mira, mungon edhe mjeku pediatër, siç pranon nëndrejtori Ilir Milo.

“ Një mjek kardiolog dhe një mjek pediatër janë emergjente për situatën dhe popullsinë e qytetit tonë”, shprehet ai.

Por kjo situatë përkthehet në rrezik për jetën dhe kosto shtesë për pacientët.

Mungesa e mjekëve specialistë është një problem i vjetër për këtë spital bashkiak, ndaj zgjidhja e vetme është mbajtja në punë e tre mjekëve që prej vitesh kanë dalë në pension.