Transmetuar më 18-07-2018, 14:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, thotë se me Greqinë është arritur një marrëveshje që ka të bëjë me kufizimin e zonave detare.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave ditën e sotme, Bushati deklaroi se lidhur me negociatat me shtetin fqinj, ka një dezinformim, kryesisht nga Partia Demokratike.

Ai shtoi se flitet për kilometër katror det dhe për zona potencialisht naftëmbajtëse dhe “gjoja për fshirje të nocionit të çështjes çame”.

Ministri deklaroi se Shqipëria ka në ndihmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin tha se është një linjë e kuqe që nuk duhet kaluar.

“Nuk bëhet as për ristrukturim kufijsh apo rishkrim të tyre. Janë të gjitha ligjet ndërkombëtare në funksion të kësaj çështje, me vendet fqinjë kemi marrëveshjet përkatëse për kufijtë, edhe me Greqinë duam të kopsitim të njëjtin proces”, u shpreh Bushati.

Sipas tij, për çdo raund bisedimesh, ministria e Jashtme i ka bërë raport me shkrim Presidentit dhe Kryeministrit.

Më tej, pas përmbylljes së negociatave tha ai, do i kërkohet autorizimi me shkrim Presidentit, për firmosjen e marrëveshjes.

Lidhur me afatin se kur do të nënshkruhet marrëveshja, ai mohoi që të ndodh brenda dy javësh, dike thënë se do të kërkojnë kohën e vetë. /a.y/noa.al