Transmetuar më 18-07-2018, 12:41

Partia Demokratike, akuzon Kryeministrin Edi Rama se ka mashtruar Parlamentin, sa i takon ligjit për Teatrin Kombëtar.

Deputetja demokrate Albana Vokshi në një dalje për mediat nga selia blu ditën e sotme, tha se qëllimi i Edi Ramës nuk është teatri i ri, por pastrimi i parave të pista të drogës dhe korrupsionit.

Sipas saj, Kryeministri miratoi një ligj të jashtëzakonshëm që grabit pronën publike dhe ia jep atë kompanisë “Fusha sh.p.k”, nëpërmjet të cilës do të fitojë të paktën 205 milionë euro me kullat që do të ndërtojë në zemër të Tiranës.

Ajo deklaroi se argumenti kryesor, siç shkruan qeveria në shpjegimin e ligjit, është se propozimi i “Fusha sh.p.k” për të ndërtuar tek teatri u pranua edhe për faktin se kompania është pronare kufitare.

Por deputetja demokrate e cilësoi si një mashtrim skandaloz që u bëhet shqiptarëve, Presidentit të  Republikës dhe Komisionit Europian që po shqyrton çështjen.

Vokshi tha se “Partia Demokratike ka zbuluar mashtrimin e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe kompanisë “Fusha”! E vërteta është se : “Fusha s.hp.k”, të cilin Edi Rama po e përdor si kompani guackë për pastrimin e parave të drogës dhe korrupsionit, nuk është pronar kufitar me pronën e teatrit, siç thotë qeveria në ligj. Kompania  “Fusha” ka në pronësi të saj vetëm 298 metra katrorë jo kufitarë me Teatrin, siç duket qartë në hartë. Ose thënë ndryshe më pak se 3% të të gjithë sipërfaqes që Rama kërkon t’ia falë me ligj”.

Ajo shtoi më tej se Edi Rama dhe “kukullat e tij”, Veliaj e Kumbaro kanë gënjyer qëllimisht Kuvendin, duke thënë se kjo është një arsye e mjaftueshme që Presidenti të mos e dekretojë ligjin “Rama- Fusha”.

Albana Vokshi tha se mashtrimi i Parlamentit me ligj nga Kryeministri është një fakt i mjaftueshëm që çdo prokurori e pavarur dhe e pakontrolluar politikisht do të merrte sot në ndjekje penale Edi Ramën dhe çdokënd që ka mbrojtur këtë mashtrim skandaloz, duke përfshirë Erion Veliajn dhe Mirela Kumbaron.

Deputetja demokrate nënvizoi se nëse prokuroria nuk do të ishte një vegël politike, do të duhet ta kishte nisur me kohë hetimin.

Në mbyllje të fjalës së saj Vokshi i bëri thirrje Presidentit Ilir Meta, që ta rrëzojë ligjin. /a.y/noa.al

A do e dekretoj ligjin për Teatrin? Meta: Nuk do ndikohem nga asnjë faktor i jashtëm