Transmetuar më 17-07-2018, 21:00

Për Hamit Mehmetin, babain e viktimës Edmond Theodhori (Mehmeti), fakti që autori i vrasjes së të birit jetonte qetësisht në laç dhe askush nuk e arrestonte, ishte e papranueshme. Autori që i vrau të birin u gjet i ekzekutuar tre vite më pas, me një diferencë vetëm prej 5 ditësh (Edmondi i vrarë me 10 korrik 2015, ndërsa Hysa më 5 korrik 2018).

I kontaktuar dje nga “Panorama”, teksa lajmi për ekzekutimin e 34- vjeçarit ende nuk ishte bërë i ditur, Hamit Mehmeti aludoi për një inskenim të mundshëm të zhdukjes së tij, por ai jep edhe detaje të tjera në lidhje me hetimin e vrasjes së djalit të tij 30-vjeçar. “Si është e mundur që denoncimi nga familja të bëhet ditën kur djali im mbushi tre vjet që ma kanë vrarë?

Eljon Hysa ka tre vite në kërkim ndërkombëtar. Kam kërkuar nga prokurori i çështjes, Ilir Hoxha, duke i thënë që vrasësi i djalit është në Laç, ndërkohë që ai më tha, më sill një foto të tij nëse është e vërtetë. Çfarë përgjigje është kjo? Unë s’jam polici, personin në kërkim e kërkon ai, pra prokurori, policia dhe shteti. Kjo është tallje me fatkeqësinë time, që më shqetëson shumë. Shpeshherë i bëj pyetje vetes: Ç’ka bërë policia këto tre vjet? Ç’ka bërë policia për Eljon Hysën, që e ka në proces gjyqësor?

Se personat që bënë vrasjen atë natë të 10 korrikut 2015, janë të gjithë të identifikuar”, u shpreh dje në orët e paradites Hamit Mehmeti, teksa i mëshoi faktit se nuk e besonte vrasjen e mundshme të Eljon Hysës. Ai deklaroi se vetëm rreth një muaj më parë kishte qenë vetë te Krimet e Rënda në Tiranë, ku kishte denoncuar gjithçka ka ndodhur me hetimet e dobëta, sipas tij, të bëra në Sarandë.

Foto: Hamit Mehmeti, babai i viktimës nga Saranda, Edmond Theodhori (Mehmeti)