Transmetuar më 17-07-2018, 19:14

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo përfundimisht mbetet jashtë sistemit të drejtësisë.

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që vendosi shkarkimin e tij nga detyra, pasi nuk kaloi dot Vettingun.

Vendimi u mor sot nga trupa gjykuese e përbërë nga Luan Daci kryesues, Natasha Mulaj relatore dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari e Sokol Çomo.

“Sot, më datë 17.07.2018, ora 10:00, në dhomë këshillimi, bazuar në nenin 66/1 – a, të ligjit 84/2016 ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, vendosi unanimisht: Lënien në fuqi të vendimit nr.12, datë 23.03.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Fatos Lulo. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë”, njoftoi KPA.

Tashmë gjyqtari Lulo ka një shpresë të fundit e cila gjithsesi kërkon shumë kohë: ankimimin në Gjykatën e Strasburgut.

Nuk dihet nëse Lulo do ta ndërmarrë këtë hap apo do të pajtohet me vendimin e KPA./a.m./noa.al/