Transmetuar më 17-07-2018, 17:22

Për Shqipërinë nuk ka asnjë kusht të ri për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Eurokomisioneri Hahn tha se ky proces bëhet me çdo vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Ai bëri thirrje që institucionet mos humbasin asnjë ditë.

“Nuk po fusim asnjë kusht të ri, ajo që po bëjmë është një proces i cili është zhvilluar në çdo vend tjetër kandidat. Sepse në fillim të këtij procesi na duhet të identifikojmë ku qendron vendi në legjislacionin e vet krahasuar me legjislacionin europian”, tha Hahn.

Ndërkohë, kreu i qeverisë shqiptare tha se është lajm i mirë që Shqipëria ka marrëdhënie të mira me shtetet anëtare të BE-së.

“Së fundmi më vjen mirë edhe për faktin që sot kemi një marrëdhënie cilësisht më të fortë me të gjitha vendet anëtare, specifikisht shumë më të afërt me Francën dhe Hollandën me të cilat patëm një debat jo të lehtë dhe e zgjidhëm në moment të fundit, dhe na kanë siguruar në gadishmërinë e tyre për të qenë pranë nesh në dëshirën tonë,” tha kreu i qeverisë. /k.k/noa.al/