Transmetuar më 17-07-2018, 16:05

Eurokomisioneri Johanes Hahn ndodhet sot në Tiranë, në një vizitë për të diskutuar mbi procesin “Screening”, që njihet si faza përgatitore për një vend para se të hapë negociatat.

Kryeministri Rama, në prani të Eurokomisionerit dhe ministrave të kabinetit, tha se këto muaj, deri në qershor të vitit të ardhshëm, do të jenë vendimtarë për vendin.

Ndaj tha ai, koha duhet të përdoret me racionalitet, dhe për të ecur përpara për të thelluar reformat me rëndësi jetësore.

“Nisja e kësaj faze përgatitore, dhe puna me një plan të qartë, nuk do jetë e lehtë, përbën një hap të rëndësishëm dhe të vështirë, dhe kërkon angazhim solemn nga të gjitha strukturat përkatëse të shtetit, në funksion të arritjes së sfidave.

Sot e deri në pranverën që vjen, jemi të detyruar ta përdorim me efikasitet kohën, për të thelluar reformat në fushat me rëndësi jetësore”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh besimplotë se janë të gjitha mundësitë për të ecur përpara në procesin e integrimit.

“Besoj se jemi të qartë për detyrat që këtro konkluzione përcaktojnë, ashtu sikundër jemi të vetëdijshëm se, përderisa arritëm të marrim rekomandim pozitiv, asgjë nuk na pengon që edhe punën që kemi përpara ta bëjmë me cilësi të lartë”, tha Rama. /k.k/noa.al/