Transmetuar më 17-07-2018, 14:49

Sa herë ju ka rastisur që nuk ju pëlqen fundi i një filmi? Në sajë të teknologjisë, ndryshimi i fundit të filmit nga spektatorët tani është i mundur.

Një hulumtues në Mbretërinë e Bashkuar ka prodhuar një film me metrazh të shkurtër që ka disa miliona variante përfundimi. Dhe fundi i këtij filmi mund të manipulohet nga sinjalet e trurit që transmeton shikuesi.

Ajo nuk është një kinema e zakonshme lëvizëse dhe filmi që shfaqet aty nuk është i zakonshëm. Një pjesëtar i kësaj audience po shqyrton mundësinë nëse shikuesit mund të manipulojnë ato që ndodhin në film.

Filmi “The Moment” është ideja teknologjike e një hulumtuesi në Universitetin Nottingham i cili po përdor sinjalet e trurit nga një pjesëtar i audiencës për të vendosur se çfarë ndodh në film.

Studentja Hulda Cheng nga Amerika ka vënë në kokë një pajisje që lexon aktivitetin elektrik në tru dhe quhet EEG. Pajisja vëzhgon reagimet e saj gjatë filmit.

“Në fillim të filmit kur personazhet vënë maska, u frikësova, dhe u mundova ta ndaloja, por dolën më shumë skena të ngjashme. Sa herë që doja të ndryshoja skenat, kjo nuk ndodhi. Nuk e di pse."

Sensori nuk mund të kuptojë atë që po mendon individi që ka veshur helmetën, por mund të tregojë nëse vëmendja po shtohet apo po ulet. Ndryshimet që vërehet tek vëmendja sinjalizojnë ndryshimet vizuale tek filmi. Pra, pajisja ofron ndryshimin e skenës së filmit kur mendon se individi po humbet interesin.

Filmi trillues shtjellon ngjarje të errëta të së ardhmes së afërt kur lidhjet e trurit me kompjuterat janë më të përparuar teknikisht dhe të gjithë janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin.

Pajisja që mban në kokë, dërgon sinjale valore në kompjuterin portativ të krijuar nga hulumtuesi Richard Ramchurn i Universitetit Nottingham. Kompjuteri është i pajisur me programe që mund të ndryshojë redaktimin e skenave dhe zërave.

“Për këtë film 24 minuta të gjatë kemi krijuar miliarda kombinime të ndryshme. Çdo skenë mund të ndahet dhe kemi variacione të ndryshme të çdo skene, por edhe çdo sekondë mund të jetë ndryshe. Çdo sekondë ofron një variant të ri të filmit, pra kemi variacione të pafundme të filmit. Gjëja më interesante është se si shikuesit e kuptojnë filmin.”

Ramchurn thotë se individi që shikon filmin krijon disa të dhëna psikologjike që nga djersitja apo transmetimi i sinjaleve që lidhen drejtpërdrejt me ndjesitë gjatë shikimit. Në bazë të këtyre të dhënave, thotë ai, individi mund të të ndryshojë skenat.

Në audiencë ndodhet edhe regjisori vizual i filmit, Mat Johns.

“Ngjarja është në një ardhme ku të gjithë janë të lidhur tek platforma që quhet ‘The Moment’ dhe ka shumë të dhëna personale, si të thuash media sociale në një nivel tjetër.”

Hulumtuesi Ramchur thotë se individët që lejojnë mendjen e tyre të zhytet thellë në film, kanë shanse më të mëdha që të influencojnë ndryshimet e skenave nga ata që nuk kanë ndjesi të drejtpërdrejta. Aktualisht ai po fton më shumë njerëz për të provuar nga afër eksperiencën e filmit ku shikuesit mund të përcaktojnë përfundimin.

***

Kjo nuk është përpjekja e parë që shikuesit të vendosin vetë për fundin e një programi.

Në vitin 1993 në Greqi bëri bujë programi i ndjekur “Ti vendos”. Ky program konsistonte në transmetimin e një filmi apo seriali dhe gjatë kohës së shfaqjes, shikuesit kishin mundësinë në linjat e shumëfishta telefonike të zgjidhnin mes dy opsionesh për fundin e programit.

Pasi grumbulloheshin telefonatat, shfaqej versioni i zgjedhur prej tyre, në dy të tilla që prodhoheshin për çdo episod nga televizioni grek. /noa.al/