Transmetuar më 17-07-2018, 14:16

“Bëra të pamundurën që të krijoja një ndjenjë me rrëmbyesin tim, doja që të dashurohej me mua”. Është ky rrëfimi i modeles angleze Chloe Ayling, e cila u rrëmbye një vit më parë, ndërkohë që u mbajt peng për shtatë ditë nga Lucasz Herba, nga 12 deri në 17 korrik të vitit 2017.

Ishin të shumtë ata që dyshuan se rrëmbimi mund të ishte i rremë, në mënyrë që Ayling të fitonte vëmendje mediatike për karrierën e saj.

Vajza e cila ndodhej në Itali, për një shërbim fotografik, u mbyll në një apartament në Milano nga rrëmbyesi dhe më tej u izolua në provincën e Torinos.

Grabitësi me ndihmën e vëllait të tij, synonte që ta nxirrte modelen në shitje online në “deep web”, dhe më tej ti kërkonte shpërblim menaxherit dhe familjes.

Ishte vetë ai që e liroi në fund, duke e lejuar që të kthehet në konsullatën angleze.

Lucasz Herba, 31 vjeç, i cilësuar si një “mitoman aventurier”, u dënua me 16 vite e 9 muaj burg, për rrëmbim personi.

Në një nga shumë versionet e treguara, ai tha se ishte dashuruar pas saj dhe donte që të krijonte një skandal për ta bërë të famshme.

Një histori e dyshimtë në shumë drejtime. Madje disa dëshmitarë thonë se e kanë parë modelen dhe të dyshuarin në shëtitje bashkë, shkruan noa.al.

Disa ditë më parë Chole Ayling dha një intervistë për BBC, duke treguar detaje të padëgjuara më parë, “Nisëm të flisnim, doja të afrohesha me të, pasi e kuptova që më pëlqente. Ishte e vetmja gjë që mund të përdorja në avantazhin tim. Duhet të bëja të pamundurën që të dashurohej me mua”.

Ayling mohon çdo mundësi inskenimi, duke thënë se ka kaluar panik të vërtetë. /a.y/noa.al