Transmetuar më 17-07-2018, 09:05

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca.

Vendimi ndaj tij u dha paraditen e sotme, ku Ndreca, nuk arriti të kalojë procesin e vetingut.

Vendimi i tij u dha nga KPK e drejtuar nga Brunilda Bekteshi dhe me anëtarë Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Ndreca njihet ndryshe edhe si gjyqtari i dosjes së "21 Janarit".

Hetimi i kryer ndaj gjyqtarit ka konstatuar probleme me pasurinë dhe mos përputhje në deklarim.

Relatorja e çështjes, deklaroi në seancën dëgjimore të pak ditëve më parë se Ndreca nuk ka deklaruar 1.5 milionë lekë në emër të gruas në bankë në vitin 2015, as automjetin në emër të djalit në vitin 2005.

Po ashtu është konstatuar se gjyqtari nuk ka deklaruar llogari bankare në emër të gruas dhe dy djemve, duke thënë se ata nuk kanë pasuri, por që nga verifikimet e kryera rezulton e kundërta.

KPK konstaton se deklarimi i gjyqtarit nuk është në përputhje me ligjin dhe se ai ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare dhe fshehje pasurie. Vendimi ndaj tij do të jepet më 17 korrik.

Pasuria e gjyqtarit

Gjyqtari Tom Ndreca u emërua në Gjykatën e Lartë në prill të vitit 2013, pas një periudhe 20 vjeçare si anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Ndreca është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike në degën e Drejtësisë në vitin 1980. Për një periudhë 4-vjeçare, ai ka punuar si prokuror gjyqësor dhe prokuror rrethi në Mirditë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Skeda grafike paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Tom Ndreca nga viti 2006 deri në fund të vitit 2017.

Raporti është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara tregojnë se Ndreca zotëronte një pasuri familjare me vlerë 5.7 milionë lekë në vitin 2003. Referuar deklarimit të tij të parë, ai zotëronte dy apartamente banimi në Tiranë si dhe një automjet.

Në fund të vitit 2017, pasuria e tij rezulton e rritur me 4 herë duke kapur vlerën e rreth 22.8 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore të pasurisë familjare të gjyqtarit Ndreca me një vlerë totale prej 15.4 milionë lekësh. Nga dy apartamente që deklaronte në vitin 2003, në fund të vitit 2017 ai zotëron familjarisht 4 apartamente të blera kryesisht me kursime.

Ai zotëron gjithashtu 6.9 milionë lekë llogari bankare, 300 mijë lekë kursime në cash dhe një automjet me vlerë 200 mijë lekë. Të ardhurat familjare të zotit Ndreca për të gjithë periudhën deklaruese përbëhen nga paga e tij dhe ajo e familjarëve. Në fund të vitit 2017, të ardhurat kapin vlerën e 39.1 milionë lekëve në total.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit nga ana e subjektit, nga të cilat njëra rezulton me probleme me një shumë të pambuluar prej 250 mijë lekësh.

Janë evidentuar gjithashtu si “flamur i kuq” huatë me vlerë 900 mijë lekë që subjekti deklaron se ka marrë nga vëllezërit dhe motrat emigrantë për plotësimin e parave në blerjen e një apartamenti që në vitin 2003. Përgjatë 15 viteve, gjyqtari ka shlyer vetëm 400 mijë lekë nga huatë e marra. /a.y/noa.al

Gjyqtari i "21 Janarit" para KPK, zbulohet skeda e plotë e pasurisë