Transmetuar më 16-07-2018, 21:34

Enis Gavazaj, ish-futbollist i Skënderbeut, pjesë e kombëtares shqiptare, ka mbyllur ditën e sotme transferimin e tij në Rusi.

Sipas Telesport, ai do të bashkohet në kampionatin e futbollit të këtij vendi me Bekim Balaj, Odise Roshi dhe Bernard Berisha, të gjithë nën menaxhimin e Shkumbin Qormemeti. 23-vjeçari ka dirmosur kontratë me FK Yenisey Krasnoyarsk, që shkurt njihet me emrin Yenisey, skuadër e cila vjen nga një kategori më poshtë dhe debuton në “Premier League” të Rusisë, sezonin 2018-2019.

Bashkë me një foto me fanellën e re, klubi rus bën edhe një përshkrim të karrierës së mesfushorit, e cila ka filluar në akademinë e vendlindjes, Prizren. Në moshën 16-vjeçare, ai u transferua në Prishtinë, një nga klubet kryesore në Kosovë. Dy vjet më vonë, Gavazaj u bë pjesë e Gent në Belgjikë, ku kaloi dy sezone dhe u kthye në Shqipëri, duke nënshkruar një kontratë me një udhëheqësit lokal të kampionatit, Skënderbeu.

Me tetë herë kampionët e Shqipërisë, Gavazaj luajti 78 ndeshje në dy sezone, 12 prej të cilave në Ligën Europiane, ku shënoi edhe 6 gola. Mesfushori ka luajtur për ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë, derisa në vitin 2018 u ftua tri herë në kombëtaren e madhe kuqezi. Gavazaj mund të luajë në të djathtë dhe në anën e majtë të mesfushës, ai dallohet për shpejtësi të lartë dhe dribling të mirë.