Transmetuar më 16-07-2018, 17:57

Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit me homologun amerikan Donald Trump, Vladimir Putin ka hedhur poshtë çdo aludim se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Ai tha se "Moska kurrë nuk ka ndërhyrë dhe kurrë nuk do të ndërhyjë në procesin e brendshëm të zgjedhjeve të SHBA-ve".

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë, Putin tha se kishte bërë propozime të forta për kontrollin e armëve.

"Për bombat bërthamore, ne kemi përgjegjësi të veçantë për sigurinë ndërkombëtare", tha ai.

Më pas shtoi se e konsideronte të nevojshme që të dy vendet të punonin së bashku për çarmatimin bërthamor dhe mospërhapjen e armëve dhe për të shmangur vendosjen e tyre në hapësirë.

Nga ana e tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë kritikoi hetimet e prokurorit Robert Mueller për ndërhyrjet e mundshme ruse, duke thënë se ky veprim ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet mes dy vendeve.

"Është qesharake. Është qesharake se çfarë po ndodh me hetimin," tha Trump. /k.k/noa.al/