Transmetuar më 16-07-2018, 13:30

Të shkosh me pushime në jug dhe ta paguash sa “frëngu pulën”! Këtë e dinë mirë jo pak pushues të cilët e kanë pësuar në lëkurën e tyre faturën e kripur të pushimeve në zonat e lakmuara të jugut.

Siç mund të shihni në faturën në fotografi, një omletë serviret në jug për 800 lekë të reja, një çmim i çmendur përballë kostos reale të saj.

Ndërsa në vlerë reale kostoja e një kokrre vezë është 15 lekë të reja, djathi i përfshirë brenda shkon rreth 18 lekë dhe zarzavatet si speca apo domate që i hidhen nuk shkojnë as 10 lekë të reja.

Përfshirë qeranë e ambjentit dhe shërbimin ndaj klientëve, përpjestimi i kostos plus fitimit nuk do e kalonte vlerën e 60 lekëve, ose katërfishi i vlerës së një kokrre vezë.

Megjithatë pronarët e jugut preferojnë të përlajnë nga xhepat shqiptarëve 14 herë më shumë

Por nëse do të ishte vetëm omleta ndoshta do të kapërdihej, por shqiptarët dhe të huajt, që frekuentojnë zona si Dhërmiu, Drimadhi, Jala, Livadhi, Llamani, etj., përreth tyre me çmime të papranueshme dhe tejet abuzive, ku një kanoçe të serviret për 500 lekë të reja dhe pse blihet me shumicë 39 lekë.

Abuzimet për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së kontrollit të organeve shtetërore, hasen edhe në marketet e këtyre zonave, ku një shishe uji 1.5 litër e cila në një market kudo kushton 34 deri në 50 lekë, atje do ta gjesh jo më pak se 150 deri në 200 lekë, ose 3 deri në 4 herë më shtrenjtë.

Të tilla çmime vijnë në kushtet kur qytetarët janë të detyruar për shkak të domosdoshmërisë së nevojave të konsumit ditor ti blejnë me çdo çmim, edhe pse nuk arrijnë dot ti përballojnë duke sakrifikuar kursimet e tyre vjetore, edhe për kushte kaq bazike.

Ajo që të bën përshtypje edhe më shumë është fakti se pothuajse të gjitha njësitë tregtare dhe të shërbimit në këto zona të jugut të servirin faturë tatimore me të tilla çmime të çmendura. Lind pyetja: a ka përgjegjësi shteti?

A duhet të ketë kontroll mbi çmimet abuzive?

A duhet të ketë një proporcion të rregullt mes vlerës fillestare të produktit dhe çmimit final te konsumatorët?

Dhe më e rëndësishmja a e justifikon çmimi abuziv atë që është realisht në produkt?

Këto pyetje nuk do të marrin përgjigje për sa kohë shteti do jetë tolerant me abuzuesit në jug dhe sa kohë ne nuk do ta bojkotojmë turizmin që na servirin këta kasapë të tregtisë në jug të Shqipërisë, të cilët janë më së shumti të importuar nga Tirana, por nuk mungojnë dhe vendasit në abuzimin e madh që ju bëhet çdo verë shqiptarëve dhe pushuesve të huaj. /noa.al/