Transmetuar më 15-07-2018, 11:27

Një avion i kompanisë ajrore Ryanair, i cili ishte nisur të premten në mbrëmje nga Dublini për në Kroaci, është dashur që të ndalojë në aeroportin e Frankfurtit, për shkak të një avarie.

Mësohet se 33 pasagjerë janë dërguar në spital. Lajmin e ka bërë të ditur kompania e fluturimit dhe policia.

Në bordin e avionit ndodheshin 189 pasagjerë, të cilëve u është dashur që të vendosin maskat e oksigjenit dhe të ndiqnin udhëzimet e stafit për raste të tilla.

“Pasagjerët kanë pasur dhimbje koke dhe probleme në dëgjim dhe nuk ndiheshin mirë”, ka thënë një burim nga policia për agjencinë e lajmeve gjermane DPA.

Sakaq pas ndihmës së marrë, 33 pasagjerët e kanë lënë spitalin mëngjesin e së shtunës.

Ndërkohë aeroporti i Frankfurtit konfirmoi se pasagjerët do të vazhdojmë udhëtimin për në Kroaci me një avion tjetër të po kësaj linje.