Transmetuar më 14-07-2018, 11:39

Nisin punimet për Bypassin e Tepelenës. Kantieri u vizitua sot edhe nga kryeministri i vendit Edi Rama.

Gjatë fjalës së mbajtur, shefi i qeverisë akuzoi qeverinë paraardhëse e cila sipas tij hartoi një projekt pa studim gjeologjik, një gjë kjo mjaft e rrezikshme.

Rishikimi i projektit sipas kryeministrit ka vonuar nisjen e punimeve.

“Bypassi i Tepelenës ka një plan fillestar të vitit 1998, që parashikonte kalimin në anën e majtë të lumit, dhe shkurtonte me 11 kilometër aksin e Jugut. Por, qeveria e vjetër ndërhyri duke mos marrë parasysh studimin.

Dhe ne jemi detyruar të rishohim edhe njëherë projektin që ishte bërë pa asnjë studim gjeologjik, një gjë e pamendueshme, jo për një shtet por edhe një familje që bën një shtëpi pa leje.

Jemi në kushtet kur projekti është realizuar, dhe vrima e zezë ku shkarkohen flukset pa asnjë standard dhe është e rrezikshme, do të eliminohet”, deklaroi Rama.

Ai tha se në vjeshtë do të nisin punimet edhe për Bypasset e Fierit dhe Vlorës. Edhe për këto projekte, Rama fajësoi qeverinë paraardhëse që sipas tij ka nënshkruar kontrata problematike. 

“Në fillim të Gushtit hapen edhe ofertat dhe jemi besimplotë që brenda Shtatorit, dhe në rastin më të keq, për shkak të procedurave që asnjëherë nuk mund të parashikohen, në Tetor do të nisë puna për të mos u ndalur më dhe Bypassi i Fierit do jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik. Ai i Vlorës që është më kompleks do marrë më shumë punë”, deklaroi Rama./a.m./noa.al/