Transmetuar më 14-07-2018, 10:19

Në datën 16 Korrik bizneset e vogla që u futën në skemën e TVSH-së kanë afatin e fundit për të dorëzuar vetëdeklarimin.

Përmes një njoftimi, Drejtoria e Tatimeve rikujton pronarët e bizneseve të bëjnë kujdes dhe të dorëzojnë deklaratën e thjeshtuar brenda 16 Korrikut.

Për ata që kanë paqartësi, Tatimet shprehin gatishmërinë për t’ju ardhur në ndihmë. 

 “Administrata Tatimore është e gatshme t’ju asistojë gjatë këtij procesi dhe për këtë qëllim ju fton të vizitoni ‘Këndin e Asistencës’ i dedikuar për biznesin e vogël, pranë të gjitha Drejtorive Rajonale Tatimore (13 kënde efektive).

Pranë këtyre këndeve ju mund të merrni të gjithë asistencën e nevojshme, në mënyrë që të përmbushni me korrektësi detyrimet ligjor”, thuhet në deklaratën e Tatimeve.

Po ashtu, është caktuar edhe një numër pa pagesë ku mund të merret informacion i detajuar.

“Gjithashtu për çdo paqartësi ju mund të telefononi pranë Qendrës së Thirrjeve në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02, ku një operator do t’ju ofrojë asistencë në kohë reale: nga e hëna në të enjte ora 08:30-18:00 dhe e premte ora 08:30-16:00”, -thuhet më tej në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve./a.m./noa.al/