Transmetuar më 13-07-2018, 16:45

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot ish-deputetin dhe diplomatin e shquar shqiptar, ish-ambasadorin Bashkim Zeneli me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Vlerësimi u dha me motivacionin, “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar dhe veprimtarinë e gjatë e të spikatur në fushën e politikës së jashtme ku, si gazetar, publicist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasador, u ka shërbyer me përkushtim çështjes kombëtare e integrimit euroatlantik të Shqipërisë”.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë, parlamentit, trupit diplomatik, pushtetit vendor, ish-ambasadorë si edhe personalitete të tjera të jetës publike në vend.

Presidenti Meta tha se kjo është ceremoni e veçantë pasi i kushtohet një personaliteti të njohur publik për të gjithë dhe një njeriu që me një pasion të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë edhe sot vijon pas pesë dekadash t’i përkushtohet dhe të kontribuojë për marrëdhëniet me jashtë të vendit tonë.

Meta vlerësoi në mënyrë të veçantë kontributin e veçantë dhe historik të diplomatit Zeneli pas viteve ‘90-të si politikan dhe si ambasador në mbështetje të luftës së Kosovës për liri.

“Ambasadori Bashkim Zeneli është një mjeshtër i diplomacisë publike. Për veprimtarinë gazetareske dhe politiko-diplomatike është nderuar me medalje dhe urdhra të shumtë. Ai është nderuar me tituj të ndryshëm dhe ka marrë vlerësime të shuma nga autoritetet e vendeve ku ka shërbyer si ambasador, si në Gjermani ashtu edhe në Greqi. Në ato vite që ambasadori Zeneli ka shërbyer në Gjermani mund të them se kriza e Kosovës dominonte marrëdhëniet me Gjermaninë dhe dihet roli dhe angazhimi gjerman për zgjidhjen e kësaj krize”, u shpreh Presidenti.

Ndër të tjera, Meta deklaroi se edhe bazat e përcaktimit dhe e vlerësimit për këtë personalitet: “E para, përkushtim në një moment mjaft deçiziv për çështjen e Kosovës ku rrezikohej të asgjësohej gjysma e kombit tonë për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe puna e tij ka qenë e shkëlqyer, e jashtëzakonshme dhe e palodhur. Së dyti, orientimi euro-atlantik i zotit Zeneli ka qenë i qartë që në ditët e para të fillimit të transformimeve demokratike në Shqipëri”. /a.y/noa.al