Transmetuar më 10-07-2018, 12:56

Nga Hassan Hassan, Foreign Policy

Një koalicion i udhëhequr nga Sauditët donte të izolonte vazhdimisht kundërshtarin e tij. Një vit më vonë, Katari ka më shumë ndikim në Perëndim se kurrë.

Rreth një vit më parë, një koalicion i vendeve arabe të udhëhequr nga Arabia Saudite imponoi një bllokadë historike, nga toka, deti dhe ajri ndaj Katarit. Masat u projektuan për të mbështetur një listë kërkesash që përfshinin ndalimin e një mbështetjeje të supozuar për ekstremistët islamikë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe brenda katër vendeve- Bahrein, Egjipt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabi Saudite- që më vonë u bënë të njohura si Katërshja kundër Katarit.

Një ditë pas fillimit të bllokadës, Katërshja mori një vrull të shtuar nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili shkroi në Twitter: “Është mirë të shohësh që vizita në Arabi Saudite me Mbretin dhe 50 vende po jep frytet e saj tashmë. Ata thanë se do të ndërmerrnin një qëndrim të prerë ndaj financimit të… ekstremizmit, dhe të gjitha referencat po i drejtoheshin Katarit. Ndoshta kjo do të jetë fillimi i fundit të tmerrit të terrorizmit!”.

Një vit më pas, Katari jo vetëm e kapërceu stuhinë- por gjithashtu ai duket se ka dalë fituesi kryesor në këtë konflikt.

Katërshja anti-Katar dështoi në misionin e saj për ta detyruar Katarin të pranojë 13 kërkesat e saj, që përfshinin mbylljen e Al Jazeera-s dhe mediave të tjera që thuhej se ishin financuar nga Doha dhe ndalimin e mbështetjes për grupe të ndryshme islamike rajonale. Katarianët u akuzuan gjithashtu për atë që kritikët e saj e quajtën mbështetje të pabesë për grupin rebel Houthi, palë e luftës në Jemen kundër së cilës Doha luftonte.

Por kërkesat ishin të dizajnuara në mënyrë të qartë për të qenë si shumë që Doha të pranonte menjëherë. Zyrtarët e lartë të Gjirit të përfshirë në krizë madje e bënë të qartë që në fillim se kampi saudit nuk ishte i bindur se Katari, edhe nëse do të angazhohej me kërkesat, do të ndryshonte vërtetë sjelljen e tij. Qëllimi real i Katërshes ishte në thelb ta bënte Katarin një shtet vasal të paaftë për të mbajtur një politikë të jashtme të pavarur. Për këtë qëllim, kampi saudit nisi përpjekje masive të PR-ve (marrëdhënieve me publikun) në kryeqytetet perëndimore për të rritur presionin diplomatik ndaj Katarit dhe për ta kthyer opinionin publik kundër tij.

Por, me këto masa, kriza deri tani ka luajtur në favor të Katarit. Ndoshta treguesi më i qartë i këtij realiteti ishte seria e vërejtjeve të bëra nga Trump në prani të Emirit (të Katarit) Tamim bin Hamad Al Thani në muajin Prill. Trump-i sulmoi Arabinë Saudite në lidhje me financimin e terrorizmit, dhe pranoi përparimin e Katarit në këtë çështje.

Në vend që të bindte komentatorët dhe politikanët në Perëndim se Katari kishte probleme serioze që duhej të adresonte, efekti ishte kryesisht e kundërta. Në pjesën më të madhe, kjo sepse Katërshja dështoi të parashikonte se Katari do të organizonte një fushatë efektive PR-i në Perëndim. Një burim i mirëinformuar rreth përpjekjeve lobuese të Gjirit vlerësoi se Katari ka shpenzuar rreth 1.5 miliard dollarë për PR-ët që nga fillimi i krizës. Sasi të ngjashme pritej të shpenzoheshin nga Arabia Saudite. Ndryshe nga vendet e tjera që po vazhdonin përpjekjet lobuese ekzistuese që para krizës si Emiratet e Bashkuara Arabe p.sh, Riadi dhe Doha dihet gjerësisht se kanë rritur përpjekjet për PR-e në këtë krizë. Fushatat e reklamave në stacione televizive si CNN u sfumuan nga anti-reklamat në të njëjta stacione.

Rezultati është se në vend të Katarit, vendet e Katërshes janë ato që pësuan prapsjet më të mëdha reputacionale. Përpjekjet e deritanishme të Arabisë Saudite për të kritikuar mbështetjen e Dohas ndaj ekstremizmin në vende si Siria dhe Libia janë dëmtuar tani nga ana e “partizanizmit” që pasoi krizën. Katari arriti ti paraqesë pretendimet e tilla si “thjesht një pjesë e vogël të përpjekjeve të paguara” nga ana e sauditëve.

Në mënyrë kritike, dy zhvillime politike që favorizonin imazhin e Katarit përkuan me krizën. Zhvillimi i parë ishte se Katari, për arsye që nuk kishin lidhje me bllokadën, u bë më pak i përfshirë me grupet ekstremiste në Siri. Me qeverinë Siriane që kishte fituar vrull në luftën civile, pati më pak nxitje për Dohën që të mbështeste grupet rebele si Ahrar al-Sham në veri. Ndërkohë, Turqia u bë sponsori kryesor i tyre. Ndonëse nuk shënoi ndonjë ndryshim të madh strategjik, ky zhvillim i dha kredi Dohas në sytë e kritikëve të saj të dikurshëm në Perëndim.

Zhvillimi i dytë paralel ishte ngritja e Mohammed bin Selmanit, i cili u bë princi i kurorës saudit në më pak se tre javë që nga kriza e Katarit. Ngjitja e Muhammed bin Selmanit pati rezultate të përziera për Katarin. Nga njëra anë, ai (bin Selmani) ishte në gjendje të përdorte në mënyrë efektive mosmarrëveshjen me Katarin për të konsoliduar mbështetjen e brendshme- duke e kanalizuar atë kundër armiqve të tij të brendshëm. Kritikët personalë të udhëheqësit të Saudisë u cilësuan me shpejtësi si agjentë të Katarit; klerikë dhe qytetarë të tjerë sauditë me ndikim shpejt kuptuan se prej tyre pritej të flasin në mënyrë aktive kundër Katarit, për të shprehur besnikërinë e pakushtëzuar ndaj princit të ri të kurorës.

Por rebelimi i brendshëm i politikës së jashtme të Mohammed bin Selman e ngatërroi perceptimin ndërkombëtar për politikat saudite. Kjo dinamikë shkoi në përfitim të drejtpërdrejtë për Katarin, pasi kritikat e udhëheqësit saudit lanë në hije gjithnjë e më shumë çështje të tjera rajonale. Ai u fajësua në Perëndim dhe në Lindjen e Mesme, për luftën e Jemenit, sepse ajo nisi pothuajse saktësisht dy muaj pasi u emërua si ministër i mbrojtjes në Janar 2015. Nga ana tjetër, Katari që ishte “dëbuar” nga koalicioni arab në luftën e Jemenit i udhëhequr nga Sauditët, filloi të pozicionohet si përkrahës i kauzave themelore arabe dhe muslimane, në vend të makinacioneve cinike gjeopolitike.

Për shembull, një dinamikë e ngjashme u zhvillua rreth përafrimit të Arabisë Saudite me Izraelin. Perceptimi se Arabia Saudite dhe aleatët e saj po afroheshin me Izraelin, parapriu krizën e Katarit dhe u konsiderua si pjesë e një konsensusi rajonal kundër Iranit. Por agresioni në rritje i Arabisë Saudite në rajon i lejoi Katarit ta portretizojë atë si një aleancë rrënjësisht reaksionare.

Dinamika e fundit është vendimtare në riorganizimin e vazhdueshëm gjeopolitik dhe social të rajonit mes konfliktit të Katarit. Ndërkohë që qeveritë e Katërshes kundër Katarit kanë tendencë ta portretizojnë Iranin dhe autoritetet e tij si një kërcënim më të madh, arabët në të gjithë Lindjen e Mesme e më gjerë po e konsiderojnë gjithnjë e më shumë vetë Katërshen si një komplot autokratik kundër aspiratave (popullore) për ndryshime politike, që kjo Katërshe i kundërshton vazhdimisht që nga Pranvera Arabe e vitit 2011. Arabia Saudite dhe aleatët e saj i formulojnë ende haptazi politikat e tyre të jashtme në kundërshtim me lëvizjet islamike dhe revolucionare. Për dallim, Katari shihet si miqësor me forcat politike në të gjithë botën arabe që duan ndryshim- edhe sepse ai (Katari) e ka portretizuar veten si viktimë e pabesisë saudite.

Por, ndërsa Katari po del i fituar nga kriza në “gjykatën” e opinionit publik, pala saudite e sheh veten të fituar sa i përket ndryshimit të fakteve në terren. Nga këndvështrimi i kampit saudit, kriza e Katarit po bën të mundur që ajo (Arabia Saudite) të përqendrohet në rivizatimin e hartës ushtarake dhe politike të rajonit, pasi Doha është duarlidhur prej presionit ekonomik të vazhdueshëm. Për ta (sauditët), Doha aktualisht është më pak e aftë të luajë ndonjë rol frenues në vende si Libia, Jemeni, Iraku dhe Egjipti. Përparimet ushtarake të bëra nga komandanti i Libisë lindore Khalifa Haftar një muaj pas krizës, i janë atribuar rritjes së mbështetjes nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Egjipti, si dhe paraliza e Katarit gjatë javëve të hershme të krizës.

Megjithatë, edhe zyrtarët e Gjirit që kundërshtojnë Dohën, fshehurazi e pranojnë se rivali i tyre është duke fituar një aspekt jetik të konfliktit. Një zyrtar i lartë arab i pyetur kohët e fundit nga Foreign Policy se çfarë mendonte për idenë se Katari po e fiton luftën e PR-ve (marrëdhënieve publike), pranoi se Doha i ka luajtur drejt kartat e saj. “Shikoni, nëse do të isha unë Katari, do të lejoja optikën të bëjë punën për mua. [Ja] Katari i vogël që mbizotëron mbi vendet e mëdha” tha ai. “Pastaj ke Arabinë Saudite që qëndron në anën e kundërt. Është normale që shumë njerëz do të mbajnë anën e Katarit”.