Transmetuar më 08-07-2018, 17:34

Familjes gjashtë anëtarëshe Azemi nga fshati Aqarevë i Skenderajt në Kosovë, çdo ditë i rrezikohet jeta nga kafshimi i gjarpërinjve. Vajzës 10-vjeçare të kësaj familje pikërisht nga kafshimi i gjarprit ditë më parë iu rrezikua jeta.

Fatime Azemi u kafshua para derës së shtëpisë nga një gjarpër helmues, e që nga dita e hënë ajo është duke u kuruar në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Ajo tregon se si u kafshua nga gjarpri teksa ishte duke veshur këpucët para derës së shtëpisë.

“Jam kanë duke i mbath këpucët, tani gjarpri më ka kafshuar dhe kam ik brenda. Tani nuk i kom tregu nënës një kohë”, tregoi ajo me lot në sy.

Sipas Rtk, nëna e Fatimes, Mevlide Azemi, tregon vështirësitë që kanë pasur për të dërguar vajzën në spital, ku për më shumë se 3 orë është dashur të presin të afërmit që të vijnë për ta dërguar vajzën në spital.

Ajo nuk mund të mbajë lotët teksa tregon se te shtëpia e saj përveç gjarpërinjve, shpesh herë kanë parë edhe ujqër dhe dhelpra.

“Shumë ligsht është çika, ujq plot nuk e di çka me bë aty, nuk e di qysh me jetua aty, keq jemi për një shtëpi. Dhelpra, ujq si të dal në derë po frikohemi, fëmijët po donë me na i hëngër, vetë frikësona”, tha ajo.

Ndonëse u pranua në gjendje të rëndë, drejtori i Klinikës Infektive Hamdi Ramadani, thotë se gjendja shëndetësore e Fatimës është duke u përmirësuar.

“Është ardhur me ënjtje të ekstremitetit të këmbës, ënjtja ka qenë nga regjioni i poshtëm i këmbës deri mbi gjunjë. Pastaj, pacientja ka pas edhe mavijosje edhe sot po duket, si dhe ka pasur dhimbje të atij regjioni. Vajza thotë se kjo është kafshuar në këmbë dhe diku tri orë më parë e ka pësuar këtë lëndim dhe normalisht pastaj kanë kërkuar ndihmë tek mjeku ambulantor dhe atje është referuar nga shërbimi ambulantor menjëherë është referuar në Klinikën e Infektivës. Kur ka ardhur menjëherë janë vendosur terapia përkatëse, por gjendja e përgjithshme ishte e lodhur, e molisur, tensioni ishte i ulur, kishte ethe vajza, kishte të vjella dhe ne kemi vendosur menjëherë terapinë që është emergjente, pastaj terapia infuzive”, tregon ai.

Babai i Fatimës, Selman Azemi fajëson veten për atë që i ka ndodhur vajzës së tij, për shkak se siç thotë, nuk ka pasur mundësi që fëmijëve të tij t’ua mundësojë të jetojnë në një vend pa rrezik për jetë.

Shtëpia në të cilën tashmë jetojnë është ndërtuar pas luftës dhe që atëherë nuk është investuar ndonjë asgjë, ku ata nuk kanë as ujë të pijshëm dhe as rrugë për të shkuar te shtëpia.

Sikur kjo të mos mjaftonte, gjashtë anëtarët e familjes Azemi prej pesë vitesh jetojnë të vetëm në fshatin Aqarevë, ku më herët kishin qenë edhe dy familje po që për shkak të kushteve të vështira ishin shpërngulur.

Të gjashtë anëtarët e familjes jetojnë me vetëm 170 euro, të cilat kryefamiljari Selman Azemi i merri si veteran i luftës.

Ai ka edhe një vëlla me aftësi të veçanta, e për të cilin duhet të kujdeset.

“Vajza tash është pak më mirë, po këtu nuk është kurrkush më, këta që kanë qenë këtu kanë dal prej këtu kanë mbetur shtëpia të thata, ka gjarpërinj, ka bolla, ka ujq, gjithçka ka, gjë e egër që ekziston këtu është. Me pas mundësi diqysh mi largua këta fëmijë prej këtu, se kam mbetur vetëm, vëllain e kam të paaftë, flenë rrugëve, gjithkah flenë, fshatarët e mijë e gjejnë rrugëve e sjellin në shtëpi,  prapë del. Fëmija të vegjël, mundësi nuk po kam”, tha ai.

Për të shkuar te shtëpia e tyre, familja Azemi duhet të ecin në këmbë për më shumë se 1 kilometër, pasi rruga është e pashtruar dhe është në gjendje shumë të keqe.

Selmani tregon se edhe vajzën që iu kafshua nga gjarpri, për ta dërguar në spital është dashur të përdorin karrocë.

“Rruga është katastrofë, as nuk mundesh me hi me veturë, krejt çka kemi me karrocë  duhet me i bajt prej asfaltit. Me karrocë atë ditë vajzën e kemi qitë deri tek rruga se ndryshe nuk mujshim. Nuk e di, shumë-shumë keq është”, tregon kryefamiljari Azemi.

“Nëse ka mundësi dikush të më ndihmojë një shtëpi, vetëm një shtëpi t’i largojë këta fëmijë prej këtu mos t’i shoh këtu në mes të malit. Po e shihni edhe vet qysh është krejt mal, ka gjithçka çka ekziston gjë e egër këtu është. Tuten fëmijët natën, tuten në gjumë, ka raste të shpeshta kur në gjumë kërcejnë që ditën shohin gjithçka, natën tani qohen si jerëm”, tregon ai.

Premtime për të ndërtuar shtëpinë kjo familje ka marrë edhe nga Komuna e Skenderajt, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Zyrtarët e kësaj komunë nuk janë përgjigjur nëse do ta ndihmojnë këtë familje në ndërtimin e shtëpisë.