Transmetuar më 07-07-2018, 10:37

Ditëve të fundit vendi ynë është kthyer në një vatër lëkundjesh sizmike, pas tërmetit të paradites së mërkurës me magnitudë 5.1 ballë të shkallës rihter.

Por që nga ajo ditë tërmetet nuk kanë ndalur, duke u shoqëruar me pas goditje të përsëritura, ndonëse me magnitudë më të vogël.

Edhe gjatë natës duke zbardhur e shtuna dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë shënuar katër goditje të tjera.

Instituti i Gjeoshkencave bën me dije më e forta prej tyre ka qenë në Klos të Burrelit.

Tërmeti i parë u regjistrua pas mesnatës në orën 00:26 me magnitudë 2.4, thellësi 3 km dhe me epiqendër Mazhë e Madhe.

Në orën 00:50 është shënuar tërmet me magnitudë 2 ballë të shkallës rihter, thellësi 10 km dhe me epiqendër në Gjirin e Lalzit.

Në orën 00:59 tërmeti pati magnitudë 3.2 ballë të shkallës rihter, thellësi 6 km dhe me epiqendër në Klos të Burrelit.

Sakaq në orën 07:41 të mëngjesit të sotëm, u shënua një tjetër tërmet me magnitudë 3.1 ballë, thellësi 31 km dhe me epiqendër në Gjirin e Lalzit. /a.y/noa.al