Transmetuar më 07-07-2018, 08:45

Shoqata e Konvertuesve të Plastikës të Shqipërisë APKA ka dhënë informacion lidhur me ndryshimet e fundit të bëra në ligjin për ambalazhet plastike, i cili parashikon ndalimin e përdorimit të qeseve plastike dhe lejimin vetëm të qeseve me karakteristika të caktuara teknike, në funksion të ruajtjes së mjedisit.

Shoqata thotë se i mbështet përpjekjet e qeverisë për zbatimin e këtyre ndryshimeve në funksion të ruajtjes së mjedisit dhe nxitjes së ripërdorimit dhe riciklimit në vend.

Nisur nga këto ndryshime, informon Shoqata, në Republikën e Shqipërisë do të lejohen të Importohen- Prodhohen- Tregtohen- Përdoren vetëm qese plastike mbajtëse me këto karakteristika teknike :

-Trashësia për anë e qeseve plastike mbajtëse nuk duhet të jetë më e vogël se 35 micron

-Duhet të ketë në përmbajtje aditiv biodegradues që të mundësojë vetëdegradimin e qeses në natyrë në jo me pak se 36 muaj

-Duhet të ketë të stampuar në një pozicion të dukshëm sistemin e shenjimit për të realizuar gjurmueshmerinë e produktit dhe konkretisht:

-Prodhuesin (Importuesin)

-Shenjën e riciklimit

-Shenjën e ripërdorimit

-Llojin e lëndës së parë të përdorur

-Aditivin Biodegradues që përmban

-Datën e prodhimit (date,muaj,vit)

-Shenjën identifikuese që tregon se qesja është e riciklueshme dhe duhet depozituar e mbledhur e ndare nga mbetjet organike

-Shenjën për përdorim ne kontakt drejtpërdrejtë me produkte ushqimore nëse ajo është prodhuar për këtë qellim, shkruan ‘monitor’

-Për këto ndryshime bëjnë përjashtim qeset plastike të përdorura për qëllime higjeno-sanitare (si qese e thasë për mbajtjen dhe transportimin e mbeturinave)