Transmetuar më 06-07-2018, 16:08

Nëse keni plane për fundjavën, atëherë hidhini një sy parashikimit të motit. Pas disa ditëve të nxehta, nuk përjashtohen surprizat këtë fundjavë.

Moti të shtunën 7 Korrrik:

Sipas MeteoAlb, Shqipëria mbetet nën dominimin e kthjellimeve deri pas mesditës kur vranësirat shfaqen fillimisht në Veri dhe gradualisht në të gjithë zonat malore. Pasditja dhe kryesisht mbrëmja sjellin shira afatshkurtër në ekstremin Verior por shira të izoluar në zonat Lindore. Ndërsa bregdeti vijon në kushtet e motit kryesisht të kthjellët. 

Temperaturat e ajrit nuk ndryshojnë gjatë mëngjesit por mesdita sjell rënie me 2 – 3°C, duke ulur maksimumin territorial në 33°C. 

Era do të fryjë mesatare deri e fortë në Jug, me shpejtësi mbi 45 km/h nga drejtimi Veriperëndimor duke krijuar në det dallgëzim 2 ballë.

Moti të dielën 8 Korrik:

Sipas MeteoAlb, paraditja paraqitet me kthjellime dhe vranësira kalimtare në pjesën më të madhe të vendit. Por pasditja sjell fuqizim të përkohshëm të vranësirave në territor duke gjeneruar shira afatshkurtër në Qendër dhe zonat Juglindore ndërsa shira të izoluar priten në Veri – Verilindje të Shqipërisë. Sërish bregdeti, kryesisht ai Jugor mbetet me kthjellime dhe vranësira kalimtare. 

Temperaturat e ajrit ulen lehtë gjatë mëngjesit po ashtu mesdita vijon me 1 – 2°C rënie, kryesisht në zonat Verilindore dhe Juglindore. 

Era do të fryjë mesatare deri e fortë në det, me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi Verior – Verilindor ndërsa në det krijohet dallgëzim 2 – 3 ballë./a.m./noa.al/