Transmetuar më 05-07-2018, 15:45

Nga Enton Abilekaj 

Nuk ka akoma një kalë për ta bërë senator, por ka një biznesmen për ta shpallur pronar të tokës publike. Sot Kushtetuta do të shkelet për të bërë një ligj për Shkëlqim Fushën. Nëse Enver Hoxha bëri ligje kundër shtresave dhe grupeve shoqërore, Edi Rama po e thyen rekordin, duke bërë ligj për një njeri. 

Është ligji “Shkëlqim Fusha”, eufemizëm perfekt për ligjin “Shembja e Teatrit Kombëtar”. Eufemizëm që përshkruan me një emër dhe mbiemër katandinë e qeverisjes, rrezikun e një pushteti që më shumë se politik, është një miks politik-ekonomik-korruptiv.

Në fakt ata që qeverisin janë një grup biznesmenësh, miq dhe ortakë më Edi Ramës. Cdo mëngjes, ndërsa ministrat dhe stafet e tyre pijnë kafe dhe vënë gjoba, një projekt I hartuar në zyrat e bizneseve për interesat e pronarëve, shkon në Kryeministri dhe më pas shpërndahet rrufeshëm nëpër ministri. 

Ministrat lënë kafet me vrap dhe firmosin projektin, PPP, prokurim I drejtpërdrejt, propozim I pakërkuar që në fakt janë transferime të parave publike në xhëpat e privatëve, grabitje e pronave publike me procedura të vecanta, të përshpejtuara. Sot edhe me ligj. Kujt i shkonte mendja që kur shpalli vitin e Sënderbeut, kishte parasysh shkatërrimin e kompleksit Skanderbeg?

Edi Rama po shkel Kushtetutën sot për biznesin e tij, për biznesmenin e tij, ndërsa protestuesit kanë frikë të shkelin ligjin për të mbrojtur Kushtetutën. Edi Rama me shpurën e tij po shet historinë dhe kujtesën kombëtare prej 20 vitesh, ne i bëjmë thirrje ndërgjegjes se tyre. 

Ata e kanë vendosur ta prishin Teatrin prej 20 vjetësh, kanë bërë projektin, kanë manipuluar dokumentet e hipotekës, kanë vjedhur tokën pa miratuar akoma ligjin, ne firmosim peticione. A është kjo ende rruga e duhur për t’u mbrojtur nga dhuna e diktaturës së korrupsionit? A është kjo ende rruga e duhur për të mbrojtur Kushtetutën dhe simbolet kombëtare?

Sikur opozita të zhvishet nga kompleksi i destabilizimit dhe nga frika e diplomatëve, sikur aktivistët, aktorët, qytetarët të rezistojnë deri në fund, ligji nuk do të kalojë sot.

Nëse ligji kalon sot, nesër kali i tij do të hyjë në Parlament me Mercedes Saloon të blinduar dhe do të zërë vend në reshtat e parë të sallës.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.AL