Transmetuar më 30-06-2018, 22:34

Nga Mentor Kikia

Besoj që shumëkush mund të ketë lexuar në rrjetet sociale një konstatim filozofik të Omer Bin Haris:

“Në kohët e mëparshme, njerëzit bënin të mira, por nuk tregonin.

Pastaj filluan të bënin të mira dhe t’i tregonin.

Ndërsa tani, nuk bëjnë të mira, por vetëm tregojnë”.

Kjo është sentenca e të gjithë falsitetit të shoqërisë së sotme, ose më saktë e asaj pjese të shoqërisë që filantropinë dhe humanizmin e ka shndërruar në një lloj fushate promovimi, apo PR-i për veten. Media dhe rrjetet sociale janë tashmë mundësi të arta që gjithkush që dhuron qoftë edhe një palë këpucë të vjetra për një person në nevojë, ta bëjë këtë publike.

Kjo është e justifikueshme deri diku, kur veprimi i atij që bën mirë, synon të promovohet si shembull për t’u ndjekur.

Por, kur ky promovim është me tepri, kur bëhet qëllim në vetvete, atëherë bamirësia del nga caqet e humanizmit dhe bëhet një mjet i pështirë propagande e promovimi personal.

Imazhet dhe fotot e “humanistëve” televizivë, me fëmijët e varfër, të leckosur, të pangrënë, janë më të shëmtuara se vetë mjerimi i atyre që e përjetojnë.

Foto dhe imazhet e zyrtarëve, politikanëve apo sipërmarrësve, në festa të caktuara apo ditë të shënuara për fëmijët në nevojë apo fëmijët jetimë, janë ca demonstrime deri të dënumshme, pasi kalojnë çdo cak, duke u shndërruar në abuzim të pastër edhe penal me fëmijët.

Shpesh, “aksione” bamirësie, organizohen posaçërisht për të prodhuar materiale filmike apo fotografi, e për t’u shpërndarë në media dhe rrjete sociale.

Promovimi i një akti bamirësie është tjetër gjë, ndërsa stisja e një akti bamirësie vetëm për qëllime promovimi, është një gjë e shëmtuar, madje e ndyrë.

Pasi është abuzive, është tallëse me fatkeqësinë e tjetrit.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.AL