Transmetuar më 26-06-2018, 11:11

Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov ka refuzuar të firmosë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin.

Në sqarimin zyrtar të dhënë nga kreu i shtetit fqinj, theksohet se marrëveshja është në shkelje të Kushtetutës së vendit.

“Në kryerje të funksionit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë gjithmonë veproj me përgjegjësi dhe të drejtat e mia dhe detyrimet i kryej brenda kornizave të Kushtetutës, ligjeve dhe interesave të Republikës së Maqedonisë”, thuhet mes tjerash në njoftimin me shkrim të presidencës.

Ivanov përmend 5 arsye se përse ka vendosur të mos e dekretojë marrëveshjen.

Njëra prej pikave ku ai vë theksin është se “Marrëveshja del jashtë kornizave të rezolutave 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit për Siguri të Kombeve të Bashkuara”.

Presidenti i Maqedonisë thekson se “Nuk kam mandat ta nënshkruaj dekretin për shpalljen e Ligjit për ratifikim të kësaj Marrëveshje. Një nga shtyllave të politikës sime nga programi i vitit 2014 është se nuk pranoj ndryshim të Kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues”./a.m./noa.al/