Transmetuar më 22-06-2018, 12:54

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.

Letra e kryeparlamentarit, vjen pak ditë pasi shkrimtari mori çmimin e Karrierës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitin 2017.

“Ju jeni ngjitur në Olimpin e letrave dhe të shkencës dhe prej andej ndriçoni historinë, të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”, shkruan Ruçi.

Ai thotë se letërsia, kultura dhe qytetërimi shqiptar janë sot të njohur sepse në to është skalitur emri Ismail Kadare.

Ruçi shkruan se letra e tij vjen në formë me mirënjohje si një ndër lexuesit dhe adhuruesit e panumërt të veprës së tij.

Letra e kryeparlamentarit për shkrimtarin

Tiranë

Shumë i nderuari zoti Kadare,

Përjetova me gëzim të veçantë shpalljen Tuaj si fituesi i Çmimit të Karierrës të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitin 2017.

Ky Çmim i shtohet gjerdanit të vlerësimeve e çmimeve për veprën Tuaj letrare dhe kontributin intelektual në Shqipëri, Europë dhe në globin mbarë.

Rrallë herë ndodh në kohën e sotme që krijimtaria e famshme letrare e njohur botërisht, kontributi intelektual plot finesë, vepra e thellë studimore e akademike, identiteti dhe vizioni europian, simbolet e vlerat kombëtare, dhe dedikimi shoqëror e qytetar të bashkohen në një individ të vetëm, si në rastin Tuaj. Ju jeni ngjitur në Olimpin e letrave dhe të shkencës dhe prej andej ndriçoni historinë, të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Letërsia, kultura dhe qytetërimi shqiptar janë sot të njohur sepse në to është skalitur emri Ismail Kadare.

Ju jeni ndër margaritarët e kombit dhe na bëni të ndihemi të gjithë krenar si bashkëkombësit, bashkëkohësit dhe lexuesit Tuaj.

Po Ju shkruaj me mirënjohje të pafund këtë letër si një ndër lexuesit dhe adhuruesit e panumërt të Veprës Tuaj.

Me respekt të thellë,

Gramoz Ruçi /a.y/noa.al