Transmetuar më 21-06-2018, 13:12

Një grup i strukturuar kriminal që merrej me grabitjen e shtëpive është shkatërruar nga policia spanjolle.

Mësohet se ai ishte i përbërë kryesisht nga shqiptarë që e ushtronin aktivitetin e tyre në Madird dhe Barcelonë.

Në pranga janë vendosur katër shqiptare nga 24 deri në 33 vjeç me precedentë të mëparshëm në vepra të ngjashme kriminale. 

Sipas policisë hetimi nisi në muajin maj, pasi më datë 20 u shënua një grabitje me armë zjarri në Madrid.

Si pasojë e kësaj grabitje me armë mbeti i plagosur pronari i shtëpisë, ndërsa ngjarja ndodhi në sytë e fëmijëve dhe bashkëshortes së tij.

Ky grup kishte si prioritet grabitjen e kasafortave dhe bizhuterive me vlerë të madhe.

Shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur nga raportimet e mediave spanjolle, u arrestuan në Barcelonë dhe Santa Coloma de Gramenet.

Ky është grupi i dytë i shqiptarëve të arrestuar në Spanjë brenda pak kohësh.

Kujtojmë që më herët u arrestuan edhe shqiptarët që grabitën vilën e yllit të Barcelonës, Luis Suarez.