Transmetuar më 21-06-2018, 08:23

Një person është vënë në pranga, gjatë një tentative grabitje me armë dhe maska, ndaj shoferit të një taksie.

Ditën e djeshme, e mërkurë, efektivët e komisariati të Elbasanit, arrestuan në kushtet e flagrancës 17-vjeçarin S. H., 17 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Elbasan.

Arrestimi i tij u bë pasi në sallën operative të Komisariatit të Policisë Elbasan, mbërriti një telefonatë nga një qytetar, për një tentativë grabitjeje me armë dhe maskë të një automjeti, në dalje të fshatit Kërçyk, Njësia Administrative Tregan.

Nga ndërhyrja e uniformave blu u bë kapja e S.H., i cili rreth orës 15.30 në vendin e mësipërm, ka tentuar të grabisë me armë shtetasin G.M., 51 vjeç, banues në fshatin Kuqan,  i cili ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij taksi të markës “Benz Mercedes”.    

Nga kontrolli i ushtruar, të riut iu gjetën me vete të futura në një çantë sportive me ngjyrë të zezë, një armë zjarri pushkë model 56, 25 fishekë model 56, një maskë me ngjyrë të zezë, një palë doreza të cilat ky shtetas i përdorte për të realizuar grabitjet.

Aktualisht po punohet edhe për dokumentimin ligjor të ngjarjeve të tjera të ndodhura në këtë zonë.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale të “Vjedhja me armë e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”. /a.y/noa.al