Transmetuar më 18-06-2018, 08:09

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të hëne, me paketën fiskale qershor 2018, duke thënë se garanton më shumë lehtësi për sipërmarrjen.

“Me këtë pasqyrë të uljes së re të taksave për biznesin e vogël, Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor dhe investimet në Agroturizëm apo në Energjinë Diellore, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Në videon e publikuar prej tij thuhet se, tatim fitimi për bizneset me të ardhura deri në 6 milionë lekë, ulet nga 15% në tre herë më pak.

Nënvizohet se 91% e sipërmarrjeve e kanë tatim fitimin, 0% ose 5%.

Sektori energjetik në fushën e energjisë diellore, përjashtohet nga Tvsh për linjat teknologjike, makineri dhe pajisje.

Shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të përfitojnë rimbursimin e Tvsh në masën 20% dhe tatim fitimi do të reduktohet nga 15% në 5%.

Sipërmarrjet e licencuara në sektorin e agroturizmit, do të kenë ulje të tatim fitimit nga 15% në 5%.

Ulje e Tvsh do të bëhet edhe për shërbimet e akomodimit. Bëhet me dije se përjashtohen nga taksa në infrastrukturë e ndërtimeve të reja me qëllim agroturizmin. /a.y/noa.al