Transmetuar më 17-06-2018, 11:08

Paraditen e sotme, Maqedonia dhe Greqia kanë nënshkruar marrëveshjen historike që i jep zgjidhje çështjes së emrit.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Nivici të Greqisë nga ana e dy ministrave të Jashtëm Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov.

Nënshkrimi i marrëveshjes u përshëndet nga Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe ai maqedonas, Zoran Zaev.

“Duam të bëjmë një hap për të harruar plagët e të kaluarës, jo vetëm për vendet tona por edhe për Europës. Marrëveshja, hedh themelet e një epoke të re”, deklaroi Tsipras.

Nga ana e tij Zaev u shpreh se, me marrëveshjen e sotme, i hapet rrugë ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë ekonomike, bashkëpunimi dhe lëvizje të lirë.

Tashmë shteti i Maqedonisë, do të quhet Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund kështu një konflikti mbi 25-vjeçar.

Nënshkrimi i marrëveshjes u ndoq nga afër nga ndërmjetësuesi i OKB për çështjen e emrit, Methju Nimiç, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, komisioneri për zgjerimin e BE, Johannes Hahn etj.

Nëpërmjet marrëveshjes zhbllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, por edhe normalizon raportet mes dy vendeve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy delegacionet do të qëndrojnë në anën maqedonase të Prespës. /a.y/noa.al