Transmetuar më 14-06-2018, 14:50

Ndërsa agjencitë e marketingut, së bashku me industrinë e medias në Shqipëri, lulëzuan pas viteve 2000, gradualisht shumë biznese e ndryshuan mentalitetin e marketingut. Prej disa vitesh, një ndër elementët e rëndësishëm të vendimmarrjes me të cilin po përballen bizneset, është zgjedhja që ata bëjnë për marketingun: marketing i brendshëm apo i jashtëm.   

Disa kompani zgjedhin të menaxhojnë së brendshmi marketingun dhe punësojnë staf me aftësi shumë të mira dizajni dhe komunikimi dhe i shfrytëzojnë ata maksimalisht për nevoja të biznesit. Këta punonjës e njohin tashmë kulturën e kompanisë dhe vizionin, sikurse dhe praktikat e saj. Por pavarësisht aspektit pozitiv të zgjedhjes, zakonisht këta persona nuk janë ekspertët më të mirë të fushës.

Ata nuk janë të ekspozuar mjaftueshëm në industrinë e marketingut dhe pavarësisht se kompania paguan mjaftueshëm për ta, ata nuk janë asnjëherë më të mirët e mundshëm. Kjo zgjedhje bëhet kryesisht nga kompani me kulturë të brendshme konservatore, për shkak të fanatizmit apo mungesës së një kontrolli të plotë mbi marketingun nëse do të punonin me agjenci. Disa kompani madje zgjedhin të krijojnë agjenci të mirëfilltë dizajni dhe marketingu brenda koorporatës. Për shkak të një shterimi të ideve të përsëritura për të njëjtat produkte, për të njëjtin vizion, të njëjtët njerëz pas pak kohësh shndërrohen në disa “burokratë” më shumë brenda kompanisë.

Një ndër arsyet pse bëhet kjo zgjedhje është buxheti. Përcaktimi i një buxheti vjetor për marketingun, është një ndër çështjet më delikate sot në vendimmarrje. Shumë kompani, sidomos në Shqipëri ende nuk e përcaktojnë një buxhet të mirëfilltë marketingu së bashku me parashikimet e tjera, por ia lënë këtë shpenzim rastësisë përgjatë vitit. Për këtë arsye, përdorin staf të brendshëm për nevojat e marketingut.

Por shumë biznese të tjera zgjedhin të kontraktojnë shërbime të jashtme të specializuara për nevojat e tyre të marketingut, pasi janë të qartë që nuk kanë ekspertizë të mjaftueshme për vetëmenaxhim të këtij sektori. Ata nuk kanë mundësi të përditësohen, investojnë në risitë e industrisë së marketingut dhe nuk i ndjekin dot ritmet e epokës që jetojmë edhe në këtë fushë, ndërsa kanë të përditshme betejën në industrinë të cilës i përkasin. Ata e kuptojnë që një agjenci mund të ketë përvojë me biznese të së njëjtës industri, gjë që e ndihmon atë në aplikimin e trendeve në atë fushë.

Për më tepër, një agjenci punon në disa industri paralele, gjë që i jep asaj mundësinë të gjenerojë dije, frymëzim dhe zgjidhje shumëdimensionale dhe efikase marketingu. Agjencia e duhur propozon vazhdimisht koncepte të reja dhe kreativitet, shumë të domosdoshëm për frymëmarrjen e biznesit. Edhe pse kontraktimi i këtyre shërbimeve në një vështrim të parë, duket më i kushtueshëm se sa në rastin e menaxhimit të brendshëm të marketingut, zgjedhja e tyre rezulton më e favorshme. Ajo garanton ekspertizë dhe sukses, cilësi dhe shpejtësi, përballë një performance zakonisht më të ulët në rastin e marketingut të brendshëm.

Ka madje klientë që pas shumë vitesh bashkëpunimi me agjenci, tërhiqen për ta menaxhuar vetë marketingun, por shumë shpejt kthehen përsëri te agjencia, edhe më të bindur se herën e parë.

Për të maksimalizuar përfitimet, shumë biznese zgjedhin një rrugë të ndërmjetme që përfshin marketing të brendshëm dhe të jashtëm të ndërthurur, ku ndahen detyrat dhe shërbimet. Edhe në rastin e kësaj zgjedhjeje shpesh krijohen ngërçe komunikimi dhe administrimi, apo përplasje të përgjegjësive, të dëmshme për menaxhimin e fushatave dhe përçimin e mesazheve të duhura te konsumatorët.

Është e vështirë të thuash sot në formë të prerë se cila është gjëja e duhur për t’u bërë. Në varësi të nevojave dhe mundësive të kompanisë, shpesh puna e një stafi të brendshëm është e mjaftueshme për kryerjen e detyrave të marketingut. Por, këto detyra mund të kryhen në mënyrë perfekte dhe me vlerë të shtuar nga agjencia. Ekspertiza, kreativiteti dhe risitë e agjencisë eleminojnë një stres të tepërt për menaxherët e kompanive. Puna e agjencisë i lejon ata të fokusohen më shumë në sfidat e tjera të biznesit, gjithmonë e më dinamike në kohën që jetojmë.   

Gabimet në marrjen e këtij vendimi për marketingun kryesisht bëhen nga mosperceptimi i saktë i situatës reale ku është biznesi dhe tregu, apo dhe zgjedhja e shërbimit ose agjencisë së duhur. Rritja e konkurrencës, lulëzimi i teknologjisë, zhvillimi i formave të reja të marketingut dhe e një lloj ndërgjegjësimi për rëndësinë e imazhit dhe marketingut, dukshëm po çojnë edhe më shumë në zgjedhjen e kontraktimit të agjencive të specializuara.  

Referuar një prej teorive të evolucionit, mund të themi se edhe në këtë rast “nuk mbijeton specia më inteligjente, as më e forta nga të gjitha, por ajo që është në gjendje të përshtatet dhe të familjarizohet në ambientin ku e gjen veten”. Nëse bizneset do të përshtaten me sfidat që ofron epoka edhe në mënyrën se si do e prezantojnë dhe shesin veten, natyrshëm ata jo vetëm do të mbijetojnë, por do të jenë të suksesshëm për një kohë të gjatë.