Transmetuar më 14-06-2018, 14:41

Vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, në Mitrovicën e Veriut, shkaktoi një debat të fortë, por ende vijon të mbetet mister autori i vrasjes së tij.

Ditën e sotme, deputeti nga Vojvodina, Nenad Çanak, ka deklaruar me anë të një statusi në Twitter, se gazetari që po investigonte mbi këtë çështje, Stefan Cvetkoviq, është zhdukur.

Sipas tij, gazetari ka humbur gjurmët mbrëmjen e djeshme, ndërsa makina e tij është gjetur e ndezur, me dyer të hapura dhe ora e dorës pa rrip afër automjetit.

“Të gjithë telefonat i ka pasur të zhbllokuar”, ka shkruar Çanaku.

Këtë muaj, gazetari doli në një konferencë për mediat ku tha se ishte mbajtur gjashtë orë në pikën kufitare në Jarinë dhe se pas kësaj nga Policia e Kosovës kishte marrë dokumentin me të cilin konfirmohej se ai ishte me urdhër të prokurorit special që udhëheq hetimet për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç.

Zhdukjen e gazetarit e ka konfirmuar edhe Policia e Serbisë në Bella Cerkë, e cila ka shtuar se po bëhen hetime për gjetjen e tij. /k.k/noa.al/