Transmetuar më 14-06-2018, 13:12

Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se në një akt klientelist dhe korruptiv, Edi Rama i ka dhënë mikut të tij vlonjat Sinan Idrizi pronësinë e kompanisë shqiptare “Air Albania” me një investim prej vetëm 100 mijë lekësh.

Në një dalje nga selia blu, deklaroi se kompania fantazmë është krijuar vetëm 9 ditë përpara daljes së vendimit të posaçëm të qeverisë, duke treguar qartë se gjithçka ishte e paracaktuar, pa garë, jo transparente dhe antiligjore.

Deputetja demokrate tha se kompanisë me fond vetëm prej 100 mijë lekësh, Edi Rama i ka vënë në dispozicion kompaninë shtetërore Albcontroll, e cila do të financojë një kompani private klienteliste të lidhur me kryeministrin.

Tabaku shtoi se, kjo është e njëjta kompani që Partia Demokratike e denoncoi në janar si pjesë të aferës korruptive me aeroportin e Vlorës dhe një kompani turke.

Ajo tha gjithashtu se përpara marrëveshjes për aeroportin e ri, Edi Rama është shoqëruar në Turqi nga Sinan idrizi.

“Siç duket në këtë foto, pronari i kompanisë fantazmë Air Albania, është në një takim të nivelit të lartë me Presidentin Erdogan dhe kryeministrin Rama. Janë disa pyetje për të cilat Edi Rama duhet të japë disa përgjigje: Të kujt janë paratë e Air Albania? Për llogari të kujt punon Sinan Idrizi? Paratë e kujt po pastron miku i Edi Ramës? A po investohen tek Air Albania para të pista të familjes Rama dhe të ndonjë fondacioni të dyshimtë?”, pyeti Tabaku.

Në këtë linjë deklaroi se janë të tilla afera gjigante korruptive që mbajnë peng hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Tabaku tha në mbyllje se peshqit e mëdhenj janë në krye të qeverisë dhe pa largimin e tyre nuk do të ketë as Shqipëri. /a.y/noa.al