Transmetuar më 12-06-2018, 16:37

Pas mosmarrëveshjeve thuajse prej 3 dekadash, Athina dhe Shkupi duket se kanë rënë dakord për të zgjidhur çështjen e emrit të Maqedonisë.

Mediat greke dhe ato maqedonase kanë shkruar se dy kryeministrat, Tzipras e Zaev, janë dakordësuar që emri i ri të jetë "Republika e Maqedonisë Veriore".

Gjetja e gjuhës së përbashkët është bërë e mundur gjatë bisedës telefonike që patën dy kryetarët e qeverive respektive.

Pikat e tjera të marrëveshjes kanë të bëjnë me gjuhën, nacionalitetin, ndryshimin e kushtetutës, si dhe afatet kohore për këto ndryshime, por edhe të tjera.

Gjithashtu, në marrëveshje do të thuhet qartë se emri do të jetë "erga omnes", për t’u shmangur mundësia e një emërtimi të dyfishtë tjetër për jashtë vendit.

Marrëveshja, nëse do të firmoset, duhet ratifikuar nga të dy parlamentet. /k.k/noa.al/