Transmetuar më 23-05-2018, 19:45

Një vrasje mes shqiptarësh po merrte kohë të padurueshme për t’u zbardhur në Greqi dhe vetëm orët e fundit, është arritur të identifikohen dy autorët e dyshuar të ekzekutimit të një djali.

Krimi ndodhi më 12 nëntor 2016 në Nikea të Greqisë, ku 32-vjeçari nga Shqipëria mbeti i vrarë në një ekzekutim tipik mafioz, që sot, sikurse tha policia greke, u zbulua se ishte vrasje e planifikuar.

Autorët, dy të rinj shqiptarë, prej kohësh emigrantë në Greqi, ashtu si nëpër filma, i prenë rrugën makinës së 32-vjeçarit në Keratsiniou dhe hapën zjarr duke i marrë jetën nën breshëri plumbash.

Hetimi që u publikua sot, nxori se dy shqiptarët ishin kujdesur që më parë për të organizuar një plan ekzekutimi të të riut, pasi më herët kishin pasur përplasje me të.

Dy shqiptarët nën akuzë për vrasjen e bashkatdhetarit, janë përkatësisht 31 dhe 32 vjeç.

I pari është shpallur në kërkim. Kurse i dyti, rezultoi të ishte në burg grek, për trafik lëndësh narkotike. /noa.al/